Një shiringë me bojë nuk është ndonjë hata, kur bëhet fjalë për çfarë ka ndodhur në atë sallë ku janë qëlluar edhe plumba.

Krismat kriminale të atentatit në parlament të pothuaj dy dekadave, gjithashtu nuk janë asgjë përballë gjëmimit të përjavshëm të fjalëve si patkonj kuajsh dhe hingëllimave e hungërimave që shumë nga ata që paguhen si nëpunës politikë në parlament i quajnë fjalime

Javë pas jave, seancë mbas seance, në të majtë e në të djathtë, keqkuptimi tragjik i ca personazheve komikë që dinë se fyerja është forcë, se ulërima është argument, se muskujt janë karrierë, ky keqkuptim pra, është shndërruar në një realitet të trishtë që turpëron publikun që i sheh dhe nderon me turp aktorët që e luajnë teatrin parlamentar.

Akte vulgare si ai që ndodhi midis kryeministrit të vendit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike janë tatuazh turpi për të gjithë. Sidomos për momentin në të cilin u vu në skenë dhe aq më shumë për argumentet që justifikuan përdorimin e bojës së shkrimit nga ish-gazetari për njeriun e bojrave.

Pikërisht atëherë kur nevojitej pak solemnitet, egërsia shumëngjyrëshe këndoi solo të vetmen notë që njeh në partiturë: godit jo vetëm për të vrarë, por kryesisht për të poshtëruar viktimën. Edhe kur viktimë është kryeministri i vendit që shpesh i viktimizon pa mëshirë kundërshtarët e tij.

Dy dekada më parë, atentati me plumba që deputeti Gafurr Mazreku i dërgoi Azem Hajdarit u tentua të shpjegohej edhe me shpagimin e hakmarrjen e fyerjes së bërë në drejtim të kundërt, nga i dyti tek i pari.

Dy dekada më pas, boja e Palokës u derdh tek Rama me po të njëjtën logjikë justifikimi: Rama e fyeu dhe Paloka u hakmor! Mjafton ky segment arrogance për të parë sesa pak ka ndryshuar Shqipëria parlamentare, që herë si pulë e herë si gjel, herë me vanitet e herë me egërsi, i gafurret pa mëshirë edhe Shqipërisë, edhe vetvetes!/Tema

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb