Nga: ERJOLA JATA*
TIRANË- Europa po përballet me një krizë të madhe ekonomike dhe i duhet të dalë nga kjo situatë. Me këtë përkufizim për Europën sot ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Gaiani thotë se zgjidhja është përpjekja e përbashkët e vendeve të BE për të nxitut rritjen ekonomike. Ai beson se ky ngërc mund të kapërcehet duke sjellë si shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për shumë vite jemi përballur me recesion dhe kufizime, por kemi ardhur në një pikë që së bashku me kufizimet duhet të fillojmë të nxisim rritjen ekonomike. Politikat e ndjekura në Amerikë kanë treguar se mund ta kalojmë krizën, rritja ekonomike mund të realizohet. Elementi kryesor krijimi i lehtësirave për investitorët”.

Ambasadori Massimo Gaiani, i ftuar në një aktivitet të Dhomës Britanike në Tiranë, foli për punën e bërë nga Italia si drejtuese e radhës e Bashkimit Europian. Ai tha se Italia ka mbështetur procesin integrues të Ballkanit, por sipas tij vendet përkatëse duhet të punojnë për të realizuar reformat.

“Ne besojmë fort se Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria i përkasin Europës dhe janë të lidhura ekonomikisht, politikisht, kulturalisht dhe i përkasin kombeve europiane. Është çështje kohe që të jenë pjesë antare e BE-së. Këto vende duhet të angazhohen për të përmbushur detyrat dhe rekomandimet që kërkon ky proçes”.

Italia mbajti për 6 muaj Presidencën e radhës së Bashkimit Europian nga 1 Janari, ndërsa tani drejtimin e ka marrë Serbia.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: