Galeria Kombëtare e Arteve nënshkroi dje një Memorandum Bashkëpunimi me Galerinë Kombëtare të Maqedonisë në Shkup. Dy drejtorët, Artan Shabani për GKA dhe Dita Starova Qerimi për GKM në Shkup, nënshkraun memorandimit në praninë e Zef Çunit, Zv/Ministër i Kulturës të Shqipërisë dhe Behixhudin Shehapi, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë.
Ky memorandum i hap rrugën shkëmbimit kulturor midis dy institucioneve, shkëmbimit të ideve, përvojave, njohurive, artistëve, me synim njohjen e kulturave që përfaqësojnë dhe përcjellin të dy institucionet përmes artit pamor.
Qëllimi i Bashkëpunimit midis dy palëve është vënia në funksion e resurseve hapësinore dhe intelektuale (njërëzore) të të dy institucioneve për realizimin e projekteve, kërkimeve, qëndrimeve artistike, seminareve etj.
Nga ky memorandum pritet që, bashkëpunimi midis GKA në Tiranë dhe GKM në Shkup, të konkretizohet përmes ekspozitave, menaxhimit institucional, edukimit artistik dhe kuratorial, shkëmbimeve të artistëve dhe kuratorëve, specializimeve, projekteve kërkimore dhe konsultimeve në fushën e artit.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)