Disa muaj para ekspozitës që do t’i kushtojë atij, me rastin e 100-vjetorit, muzeu i Luvrit, galeria “Levy Gorvy” ofron për piktorin francez, Pierre Soulages ekspozitën e parë në New York.

Njëzet pikturat e prezantuara nga sot deri më 26 tetor në këtë ndërtesë të Upper East Side, në Manhatan, përfshijnë 65 nga më shumë se 80 vjet karrierë të mjeshtrit të Rodez.

Më e vjetra daton në vitin 1954, vit gjatë të cilit artisti lidhi marrëdhënie me galerinë nju jorkeze Kootz, pikënisja e karrierës së tij amerikane, me mbështetjen e James Johnson Sweeney, kurator në Muzeun e Artit Modern (MoMA).

Gjeniu i të zezës do të bënte pjesë në ekspozitën e parë të muzeut të Guggenheimit në ndërtesën rrethore të krijuar nga arkitekti Frank Lloyd Wright, në 1959.

Pjesa më e madhe e veprave të prezantuara nga “Levy Gorvy” janë pjesë e koleksioneve amerikane ose të muzeve amerikanë, dëshmitarë të interesit që ngjall Pierre Soulages në SHBA, ku ai ka takuar Willem de Kooning apo Mark Rothko.

“Levy Gorvy” që përfaqëson Pierre Soulages, vazhdon t’i shesë veprat e piktorit tek klientët amerikanë.

“Është e vërtetë që do të kisha mundur t’i shisja 10 herë tek europianët, por kemi thënë jo, pasi fillimisht do të shikojmë se ku mund t’i vendosim në SHBA”, thekson Dominique Levy, bashkëthemelues i galerisë Levy Gorvy me Brett Gorvy, ish-zyrtar i artit kontemporan në shtëpinë e ankandeve Christie’s.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb