* Artisti: Më të paaftët në teatër ishin komunistët

* “Më shpëtoi Hysni Kapo kur thashë ‘pse lejohen prostitutat mbas teatrit’”

NGA FATMIRA NIKOLLI* TIRANË- Gaqo Çako, vjen i gjatë, i hollë e me një fytyrë të imët. Ka tipare të rregullta, që ende sot, me tetë dekada mbi supe, artisti, nuk i ka humbur. Flokët e thinjura i ka mbuluar me një kapele, ndërsa një pallto e gjatë i mbulon trupin që nuk e tradhtuar aspak. Çako, nuk është fort i afrueshëm (por as i ftohtë), megjithëse është mjaft i sjellshëm. Ruan ende ndoca fjalë të dialektit të Korçës, të cilat i japin më shumë ngjyrë bisedës.
Tenor dhe një prej emrave më në zë të artit klasik, për atë brez që s’e njeh, Gaqo Çako ka qenë një nga emrat e artë të Operës shqiptare. Megjithatë, fakti që është disi i tërhequr nga mediat së fundmi, duket se e ka lënë disi në hije, paçka talentit për të cilin e kanë dashur aq shumë.
Me rastin e 80-vjetorit, për të u bë një koncert në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, me ç’rast ai vjen në një rrëfim pa dorashka në “GAZETA SHQIPTARE”. Fëmijëria, rinia, shkolla, familja, bashkëshortja, i biri, nipi, karriera: ai flet për gjithë jetën e tij, që nga sukseset e deri te rreziqet.
U bë një koncert me rastin e përvjetorit tuaj të 80-të. Si u ndjetë nga këngët që ish-nxënësit tuaj kënduan për ju?
Është e vështirë të flas për veten. Organizimi qe shumë i mirë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. U bë me studentët e mi, im bir, ime shoqe dhe nga studenti im kryesor, Kastriot Tusha, por edhe të tjerë. Në ditën e ditëlindjes u ndodha në skenë dhe interpretova dy pjesë me studentët me djalin tim.
800 vetë në sallë dhe shumë prej studentëve tuaj. Si u ndjetë?
Shkoi mirë dhe kur dola unë, një i moshuar që interpretova me studentin tim Kastriot Tusha dhe me grupin e solistëve, ishte një emocion i madh për mua dhe për spektatorët që disa herë duartrokitën dhe brohoritën.
Thatë se dolët në skenë si i moshuar, por me gjithë moshën që keni jeni i mbajtur, ecni drejt, me stil, jeni i gjallë. Si e keni mbajtur veten?
Jo, s’kam bërë asgjë të veçantë. Artisti, nuk është një njeri i zakonshëm, që shkon në punë si të tjerët. Ne artistët, ndryshe nga sportistët që harxhojnë kalori, harxhojmë sentimente. Gjatë kohës që isha në skenë, isha i privuar. Këndoja edhe në orët e natës, shkoja jashtë në kohë të ftohtë, isha i privuar nga shumë gjëra që i bënte një njeri i zakonshëm. Ne kemi bërë shumë turne nëpër Shqipëri, nëpër fshatra, nëpër kooperativa, në fabrika, në orët e vona të natës, kur punëtorët punonin. Ka qenë jetë e vështirë për ne. Kam kënduar në tre të mëngjesit në Uzinën e Autotraktorëve. Na prisnin me dashamirësi dhe ishim të lumtur. I kemi kënduar popullit me dashurinë dhe respektin ndaj tij si edhe ai na respektonte.

Pse në tre të natës?

Sepse ishte turni i natës. Shkonim në turnin e natës siç shkonim edhe në turnet e tjera për të kënaqur punëtorët që punonin aty në ora 3:30 apo 4. Kemi kënduar edhe në kooperativa.

Pra, atëkohë, ishin artistët që shkonin ku ishte publiku, ndërsa sot, është publiku që vjen ku jeni ju. Pra publikut atëherë iu çohej arti ku ata ishin, mbase për këtë duhej më shumë?

Artistët gjithandej, shkojnë edhe nëpër shkolla, këndojnë, iu flasin për muzikën, në mënyrë që edhe ata të mësohen me muzikën klasike apo bashkëkohore. Kështu rritet edhe spektatori që vjen në ‘theatër’, viziton, shikon artistët dhe nëse mbetet i kënaqur herën e parë e të dytë, i bëhet zakon që të jetë në kontakt me muzikën.

Sot, në këtë moshë që jeni, nëse ktheheni të shihni pas, cili është kujtimi juaj i parë?

Unë jam korçar. Kam lindur atje dhe, siç dihet, atje është djepi i serenatave, i këngëve. Çdo natë mbas orës 11, bënim serenata. Ky ka qenë fillimi im në muzikë.

Afër cilës moshë?

Afër të 14-ave. Unë kam kënduar edhe në shkollë. Pastaj ika nga Korça.

Kujtime më të hershme, nuk keni?

Jo. Mbaj mend serenatat e djemve. Frymëzohesha prej tyre. Prindërit e vunë re që unë këndoja. Në fakt, që unë të bëhesha artist, ka qenë dëshirë e mamasë sime. Më ka çuar në Liceun Artistik me dorën e saj dhe më nxiti që të bëja shkollën. Pastaj shkova në Rusi e u ktheva si artist i formuar.

Kur ishit në Korçë, kujt i bënit serenata? Kishit ndonjë vend të caktuar, i bënit serenatë ndonjë vajze?

Ne ishim disa shokë që bënim shkollën në Tiranë. Në verë, kur ktheheshim për pushime në Korçë, secili kishte jo nga një të dashur, po nga një vajzë që e simpatizonte. Dhe, mbasi mblidheshim, shkonim këndonim, një herë te njëra e më pas te tjetra, i merrnim me radhë. Atëherë nuk kishte zhurma makinash, ishte qetësi absolute në ora 11-12 të natës.

A ju kanë hedhur ndonjëherë ndonjë kovë uji nga ballkoni?

Asnjëherë. Nganjëherë ndodhte që ndonjëri bërtiste “Mja more se na latë pa gjumë”. Kishte pastaj që dilnin në penxhere, gratë, vajzat e burrat dhe na dëgjonin, duartrokisnin. Ky qe një fillim që më bëri ta dua më shumë artin skenik.

Si shkoi mësimi në Liceun Artistik?

Mbasi mbarova liceun më morën ushtar. Më çuan në Ansamblin e Ushtrisë dhe aty ishte njeriu më i dashur i jetës sime, shefi i Ansamblit, Gaqo Avrazi, të cilit i dedikohem shumë, sepse ai ishte nismëtari që unë të shkoja për studime jashtë shtetit. Kjo, sepse unë isha ushtar dhe nuk më lejonin, se duhej të mbaroje ushtrinë dhe më pas të shkoje.

Mua më doli bursa dhe ai me dëshirën e tij që unë të bëhesha artist, sepse shihte tek unë që kishte diçka, u interesua gjithandej me shumë mundime. Dikush nga lart tha se bursën time, ma kishin hequr dhe kishin vënë bursë për inxhinier. Takova rastësisht dikë, që më pyeti pse s’ke ikur akoma dhe i thashë se ma hoqën bursën pasi kanë çuar një inxhinier. Ai tha se kemi nevojë për artistë se inxhinierë kemi plot. U ndryshua sërish. Shkova në Moskë.

Si janë kujtimet tuaja për jetën moskovite?

Atje sigurisht isha në qendër të vëmendjes si një student i shëndetshëm në drejtim të përgatitjeve dhe njohurive. Liceu Artistik te ne ka qenë shumë i fortë. Atje kanë qenë pedagogët më të mirë: Jorgjia Truja që më ka mësuar të këndoj lirshëm, bukur, me ndjenjë, Mihal Ciko, Marie Kraja, emra që kishin studiuar jashtë dhe jepnin mësim aty.

Unë vija në Moskë nga një shkollë e mirë dhe kisha kënduar disa herë këtu, ndaj atje isha i përgatitur. Ndërsa atje vinin studentë që kishin mbaruar vetëm shkollën e mesme, ndaj unë isha mirë.

Një ditë moskovite juaja, cila ishte, zgjoheshit në mëngjes, shkonit në shkollë, po më pas?

Jeta në Moskë kishte pasuri të madhe artistike, 200-300 koncerte. Moska ishte 9 milionë banorë dhe kishte shumë vende ku bëheshin koncerte, në salla, në ndërmarrje, etj. Jeta artistike ishte shumë e pasur por mbi të gjitha ishte një shkollë e fortë. Të bënte artist të vërtetë. Interesoheshin për ne shqiptarët. Kishin qenë para meje, Xhoni Athanas, Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, që kishin pasur sukses dhe e dinin që Shqipëria kishte artistë me zë të mirë.

Si dilnit, kishte mbrëmje, vallëzime?

Në Rusi? Atje vetëm vallëzim kishte. Kudo në çdo ndërmarrje bëheshin festa dhe ftonin artistë. Unë kisha fituar një lloj emri dhe menaxheri im më drejtonte në koncerte. Kishin qejf këngët shqiptare.

Cilat keni kënduar?

Shumë, po s’i mbaj mend. Shqiptare, italiane, ruse.

Ç’vallëzime keni mësuar atëkohë?

Atëherë nuk ishte kjo epokë si tani. Kërcehej vals dhe tango. Ne jo vetëm paguheshim në koncerte se bursa ishte e vogël, por ato 20 koncerte në muaj, na ndihmonin. Kishim theatrin e konservatorit dhe në këtë theatër interpretonin studentët më të mirë. Më kanë vënë të këndoj “Bohemën”, “Të fejuarën e Carit” etj. Kam qenë personazh i njohur

në Moskë dhe shumë kohë më vonë, Radio Moska vinte incizimet e mia.

Ata që janë artistë, të suksesshëm, të rinj, por edhe të pashëm, janë pak edhe donzhuanë, a gruarë. Ju, si ishit?

Atje në Moskë ishte e kollajshme të zije një femër. Sepse në një mbrëmje vallëzimi, ku shkonim ne, kishte 15 meshkuj dhe 100 femra, ndaj ato ziheshin se kush të kërcente para. Dhe në fund të thoshin 100 faleminderit, se kishte edhe vajza që nuk kërcenin fare.

Ju, ruani kujtime të veçanta nga kjo anë?

Ruaj kujtime më të mira, se fakti që isha student në Rusi, më dha atë që unë bëra sot në Shqipëri. U edukova në të gjitha drejtimet. Kam shkuar edhe në Itali për specializim, po nuk krahasohet me Moskën. Kishte disiplinë dhe jo si te ne, që njëherë vjen e pesë herë jo. Na jepnin mësim personalitete arti dhe ishte nder të ishim student i tyre.

Megjithatë, nuk treguat nëse ishit gruar…

Të gjithë ishim gruarë. Të detyronte jeta, mosha e të gjitha gjërat. Shko andej e shko këtej, kishte vajza shumë; në konvikt kishte më shumë vajza se djem. Kishim sallë në konvikt ku bënim mbrëmje dhe vinin violinistë me disa çmime ndërkombëtare. Ata që ishin miqtë e mi atëherë sot janë emra të artit atje. Ne nuk dinim që do prisheshin marrëdhëniet, jetonim mirë.

Si e morët lajmin e prishjes së marrëdhënieve Shqipëri-Rusi?

Na lajmëruan që këtu familjarët: Merrni plaçkat. Shteti nuk na tha gjë, sepse nuk donin që të rrinin njerëz atje. Unë s’e kisha ndër mend të rrija në tokë të huaj, dhe pse do isha bërë i njohur, po jo më i njohur se këtu.

S’e menduat të rrinit?

Asnjëherë! Guri është i rëndë në vend të vet. Kam parë artistët që kanë emigruar por s’janë ndjerë mirë, e janë penduar. I huaji mbetet i huaj. Këtu vërtet pati fatkeqësi për kulturën, me revolucionin kinez, u shkatërrua ajo që ishte bërë me artin ndërkombëtar, u fshinë menjëherë. Pati një të keqe shumë të madhe, por u mobilizuan të gjithë kompozitorët dhe shkruan arie, opera, romanca, balete, të tilla që sot nuk është shkruar

asgjë dhe më vjen keq. Pati edhe fatkeqësi.

E keni fjalën për ata që u dënuan? Çfarë ndodhi me Lukë Kaçajn?

Ai në fakt nuk tha asgjë, absolutisht asgjë nuk tha. Po arrestonin dikë atje në institut, dhe dikush tha që ç’janë këta. “Këta po arrestohen se janë kundra pushtetit”, atë tha ai. Ata e morën dhe e futën në burg. Gjithë ai artist i madh!

Ishte fat i keq?

Fati i tij i keq që u ndodh në atë periudhë. Atëkohë ndodhte edhe një gjë, ‘mos fol se futesh në burg’. Mirëpo njerëzit s’rrinin dot, se nuk e duronin dot atë shtypjen, se filluan, jo aq shumë atje lart, sesa këtu poshtë në theatër. U aktivizuan shumë, shumë njerëzit e paaftë në theatër. U futën në parti. Partia bënte ligjin. Një njeri që nuk e zbatonte ligjin e partisë, dënohej, i hiqnin, nuk i nxirrnin nëpër shfaqje. Unë isha gati për t’u futur në burg. Sepse edhe unë fola në një konferencë. Por shpëtova.

Çfarë thatë që rrezikuat?

Kishte ca probleme. Ishte një shesh i madh këtu, ku kishte shumë prostituta. Unë thashë, ç’është ky shtet që mban prostituta mbrapa Teatrit të Operës dhe Baletit. Ata ma morën si shenjë, sikur shteti ishte i prostitucionit e të tjerë. Më shpëtuan nga lart.

Kush ju shpëtoi?

Më shpëtuan.

Kolegët?

Jo kolegët. Hysni Kapo. Më thirri e më tha, “s’e mora me të keqe se është një gjë e vërtetë, por shko puno atje e mos bëj zë”.

Ia hodhe paq?

Po, me të vërtetë që ia hodha paq. Sepse sikurse thashë, më të paaftët ishin komunistët. Ata grumbulloheshin, secili kokat atje, dhe, “kë të dënojmë sot e kë të dënojmë nesër, mos bëhet ky, pse erdhi ky, pse nuk erdhi ky”.

Ishte xhelozi profesionale?

Ajo ishte kryesorja. Xhelozinë e fshihnin nëpërmjet revolucionit kulturor.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: