Një “referendum” për titullin kampion. Nga Skënderbeu që synon të shtatin radhazi, te Partizani për rikthimin pas 24 viteve dhe Kukësi për ta bërë sefte. Janë këto tri ekipe që për 15 protagonistë absolutë të kampionatit shqiptar ndër vite kuotohen më shumë për të fituar trofeun më të rëndësishëm. “Panorama Sport” sjell ekskluzivisht mendimin e një “jurie speciale” për skuadrën që ka bindur më tepër deri më tani për titullin.
Referendumi per titullin
Referendumi per titullin
Do të vijojë hegjemonia e Skënderbeut apo do të fitojë uria që kanë Partizani dhe Kukësi? Me Tiranën thuajse të përjashtuar nga gara për titull, ish-trajnerë të njohur dhe ish-lojtarë që kanë fituar shumë trofe në karrierën e tyre u japin një avantazh të lehtë korçarëve. Megjithatë, ka jo pak nga ata që shohin Partizanin kampion. Nuk mund të mungojnë as gjykimet kundër rrymës, aq më tepër që vijnë nga legjenda si Agustin Kola. “Ky është kampionati më i dobët që kam parë, ekipi i vetëm që prodhon futboll për mua është Luftëtari”, thekson ish-bomberi i Tiranës.
Shpetim Duro Partizani
SHPËTIM DURO
Trajneri që riktheu titullin në Korçë pas tetë dekadash “voton” për Partizanin. “Të tria skuadrat që janë aktualisht në vendet e para i shoh të barabarta. Por, mendoj se Partizani është më i favorizuar për të fituar titullin kampion. E them këtë, duke pasur parasysh luhatjet e Skënderbeut dhe urinë që ka Partizani për titullin. Pastaj, ky klub u bë disa vite që kërkon të jetë kampion dhe ka fituar eksperiencë. Në këtë moment duhet të ishte më mirë me pikë, pasi ka një grup cilësor lojtarësh, që luajnë bashkë prej vitesh. Ky sezon e gjen Partizanin më të stabilizuar për të qenë në krye, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet. Nëse mund ta quajmë avantazh në krahasim me rivalët, është se ka ruajtur bërthamën e ekipit”, deklaroi Duro.
Canaj
AGIM CANAJ
“Të denja janë të tria ekipet, por asnjëra prej tyre nuk ka dominuar. Pra, asnjëra nuk ka garanci për titullin. Megjithatë, unë jam i bindur se Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi do të rivalizojnë deri në fund. Më shumë avantazh i jap Skënderbeut, pasi është një skuadër që ka pasur qëndrueshmëri të madhe në këto 6 vite. Pavarësisht se ka ndryshuar si ekip, qoftë në lojtarë apo trajnerë, prapë është në krye të renditjes. Në këto kushte, si Kukësi dhe Partizani nuk kanë qenë të denja që të shkëputen nga Skënderbeu, edhe pse korçarët kanë gabuar disa herë gjatë rrugës.
Nga ajo që kam parë deri më tani, gjykoj se asnjë skuadër nuk do të jetë dominante, sepse realisht nuk e kanë treguar në fushë. Avantazhi i Skënderbeut është eksperienca që ka, ndërsa për Kukësin mund të them se është e disata herë që pasi kap kreun, nuk arrin ta mbajë dot, duke u rrëzuar nga skuadra të dorës së dytë. Për Partizanin mund të them se defekti i vetëm janë ndeshjet jashtë fushe. Një ekip që synon titullin duhet të shfaqet njësoj, si brenda dhe në transfertë”, ka thënë ish-trajneri i Dinamos dhe Vllaznisë.
Hysen Zmijani
HYSEN ZMIJANI
“Për mendimin tim, Skënderbeu mbetet sërish një nga skuadrat që e shikoj kampione edhe këtë sezon. Mendoj se korçarët kanë një skuadër të konsoliduar dhe me shumë elementë cilësorë. Gjithashtu, janë një ekip që lojtarët njohin mirë njëri-tjetrin, pasi kanë vite së bashku. Megjithatë, unë nuk i shikoj shumë prapa edhe ekipet e Kukësit e Partizanit”, ka thënë ish-mbrojtësi i famshëm shkodran.

VIORESIN SINANI
Golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (208 gola) nuk e shikon Skënderbeun dominant. “Shanset i shoh të barabarta mes Skënderbeut, Kukësit dhe Partizanit. Këto ekipe do të luftojnë deri në fund për titullin, pasi realisht kanë sulmues të mirë. Një skuadre që do të shpallet kampion, i duhet një sulmues që garanton gola. Skënderbeu ka Salihin, Kukësi ka Pejiçin, ndërsa Partizani ka Ekubanin. I shoh të kompletuara këto ekipe, ndërsa të tjerat kanë probleme me sulmin.
Në vitet e kaluara kam thënë gjithmonë se favorit është Skënderbeu për titullin, por këtë herë nuk mund ta theksoj, sepse më duken të tria ekipet me shanse të barabarta. Kushdo që të fitojë prej tyre, mendoj se do ta meritojë”, deklaroi bomberi shkodran, i cili në karrierën e tij ka arritur të fitojë trofe me Tiranën, Vllazninë dhe Besën.
Daniel Xhafaj
DANIEL XHAFAJ
“Të jem i sinqertë, më shumë i bindur kam qenë për Partizanin, duke parë organizimin dhe përbërjen që ka kjo skuadër. Por, me këto luhatjet në kampionat, më ka bërë pak mosbesues. Skënderbeu po rikthehet dhe ka eksperiencë, kështu që më duket prapë më i avantazhuar për të fituar titullin. Gjykoj se deri në fund vetëm korçarët dhe Partizani do të rivalizojnë për titull.
Mendoj se Kukësi nuk do të jetë në këtë garë, pavarësisht se kryeson momentalisht. Megjithatë, në gjykimin tim, ai klub që do të bëjë në janar merkato të qëlluar, do të fitojë edhe kampionatin”, deklaroi golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit shqiptar, që ka fituar titullin me Dinamon, Tiranën dhe Skënderbeun, por gjithashtu kupa me Besën dhe Teutën. /panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb