Njësia 9 ishte ndalesa e radhës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për të dëgjuar prezantimet e platformave të kandidatëve në garë për kryetar të PS. Veliaj u shpreh se Partia Socialiste është e hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet një familjeje të madhe.

“Te partia e Saliut dhe e Lulit duhet të jesh djali ose vajza e dikujt. Tek partia e Ilir Metës dhe Monikës, je o burri, o gruaja, që hap qepenin e dyqanit politik në mëngjes. Këtë s’e thotë dot njeri për PS-në. Unë dhe Ogerta kemi qenë shokë shkolle te “Sami Frashëri”. Po t’i kthehemi mbrapsht jetës sonë, mundësinë për të transformuar maternitetin ku kemi lindur, çerdhen dhe kopshtin ku kemi shkuar apo shkollën 9-vjeçare dhe gjimnazin, ta jep vetëm Partia Socialiste. Në një parti tjetër, nuk do të na i kishte hedhur sytë njeri, se do thoshin ti nuk je i filanit, ti nuk je kunati, djali, vajza e dikujt, siç funksionon atje”, nënvizoi Veliaj.

Për kundërshtarët politikë, kreu i Bashkisë tha se Kryemadhi që vjen në Tiranë sa për të dalë në konferenca shtypi dhe kthehet prapë te shtëpia në Lalëz, është jashtë realitetit.

“Kur t’i dëgjon Monikën që ankohet për inceneratorët, për ministrat e saj, për stafet e saj, flet si ata të “La casa del papel”, që hynë të vidhnin bankën dhe u mërzitën që nuk e ndanë plaçkën njësoj. Janë komplet jashtë realitetit sepse këta kanë halle të tjera. Këta vijnë në Tiranë, japin konferencën për shtyp dhe kthehen prapë në Lalëz. Kurse ne I kemi rrënjët këtu, i kemi sytë dhe vëmendjen këtu”, tha Veliaj.

Në fund, kryebashkiaku u shpreh se ndryshimi mes kundërshtarëve dhe Partisë Socialiste, është që askush nuk ka interes nëse do vijë Saliu, Luli, burri apo gruaja.

“Ne s’jemi ajo partia që xhiron gomat muajin e fundit para zgjedhjeve. Ne s’jemi ajo partia që bredh si turmë pa kokë edhe që i intimidon njerëzit rrugëve ditën e zgjedhjeve. Ne jemi njerëz që themi t’i bëjmë gjërat në kohën e duhur, t’i marrim gjërat me rradhë, të shfrytëzojmë verën për t’u përgatitur si skuadër, ashtu siç bëjnë skuadrat e futbollit. Në një parti tjetër, s’ka njeri interes nëse do vijë Saliu apo Luli. Aty ka vetëm interes kush do ta djegë selinë, kush do të vijë me vare, kush do të vijë me çekiç, kush do të vijë me qysqi dhe gaz lotsjellës. Ata nuk kanë interes të rregullojnë shtëpitë tuaja. A ka njeri interes çfarë do të ndodhi në datën 25 Korrik? Do iki gruaja, do i japi çelësat e qepenit burrit dhe do të bëhet ai kryetar partie. S’ka pikë kurioziteti se dihet, është një SH.P.K private”, përfundoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: