Nga Elda Menga

TIRANË- Astrit Patozi nuk dorëzohet. Ish-numri dy i Partisë Demokratike edhe pse nuk mundi të bëhej pjesë e garës për lidershipin e ri të Partisë Demokratike, pritet të nisë një tur takimesh me demokratët. “News24” e “BalkanWeb” kanë mësuar se Durrësi do të jetë stacioni i parë i Astrit Patozit.

Ditën e mërkurë në ora 19:00 ai do të organizojë një bashkëbisedim me simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike për të ndarë me ta shqetësimet si dhe për të diskutuar mundësitë e daljes nga situata ku ndodhet Partia Demokratike.

Por, kjo nuk do të jetë lëvizja e vetme brenda radhëve të demokratëve. Po kështu “News24” e “BalkanWeb” kanë mësuar se një pjesë e anëtarëve të kryesisë së Partisë Demokratike i njohur si grupi “anti-Basha kanë nisur mbledhjen e firmave për thirrjen e Këshillit Kombëtar.

Të drejtën për thirrjen e këtij këshilli prej 275 anëtarësh veç kryetarit e kanë edhe ¼ e anëtarëve, ndaj për te thirrur këtë forum, kundërshtarëve të Bashës u duhen rreth 69 firma.

Këshilli Kombëtar i PD-së vendos për rregulloren e brendshme të partisë, zbatimin e statutit, si dhe për kandidaturat elektorale, sipas propozimit të Kryesisë së Partisë Demokratike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: