Analisti Genc Burimi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në lidhje me fushatën elektorale të zgjedhjeve të 14 majit.

Burimi komentoi ngjarjet e fundit që mund të lidhen me fushatën, si vrasja e biznesmenit në Shëngjin ditën e djeshme, si edhe gjetjen e një mjeti me ndihma në Has, teksa tha se krimi zgjedhor duhet të ketë ndëshkime, por edhe reagime nga qeveria, drejtësia dhe faktori ndërkombëtar.

Sa i përket fushatës në vetvete, Burimi tha se “makineria e mazhorancës ka ngecur”, pasi nuk po sjell propozime të reja.

Burimi deklaroi në lidhje me deklaratat e Alibeajt drejtuar zgjedhësve për të mos votuar koalicionin “Bashkë Fitojmë”, se ky i fundit dhe grupimi i tij kanë qëllimin e vetëm për të “sabotuar suksesin e krahut të Sali Berishës”.

“Janë ngjarje të trishta, sepse vijnë zinxhir, edhe pas tentativës së vrasjes në Vaun e Dejës. Një fushatë elektorale është momenti kyç i një demokracie. Në Perëndim nuk luhet me këtë, krimi zgjedhor është krimi më i madh këtu. Ndodhin shpesh vrasje në Francë, por të ndodhin në fushatë elektorale, do lëvizte qeveria dhe prokuroria. Mos reagimi bën që këto të konsiderohen si krime banale.

Pasiviteti i qeverisë, drejtësisë dhe ndërkombëtarëve më habit. Këtu nuk ka asnjë reagim. Ai djali në Has duhet të bëhet shembull për të tjerët. Atë që ka bërë ai, e ka bërë Gjiknuri më herët në Dibër, kur u përgjua. Duhet të ndryshojë kjo. Escobar duhet të shpallë non-grata personat që kapen duke bërë krim elektoral.

Në Tiranë kemi 3 prototipa. Këlliçi foli për transportin, Bejko për mos lejimin e non-gratave, ndërsa Veliaj tallej me kundërshtarët. Bejko dhe Veliaj po merren me kundërshtarin, ndërsa Këlliçi po sheh rrugën e tij, edhe pse autobusi nuk do zgjidhë problemet e qytetarëve.

Makineria e mazhorancës ka ngecur, nuk ka më sugjerime të reja. Habitem se si zbulojnë histori pemësh, abuzimesh, etj. Përse opozita i zbulon sot këto, dhe jo më parë? Sot shoh një mangësi nga opozita për të parë si janë qeverisur bashkitë.

Ndërrimi i pikave të votimit ndikon në zgjedhje dhe do ketë pasoja. Do krijohen vështirësi për zgjedhësit. Kur Rama në vitin 2021, pas marrëveshjes elektorale, bëri ndryshimin ku hoqi koalicionin. Kjo nuk është në mermer, por kur u konsultua me të huajt, u tha që nuk ndryshohen dot kushtet në këtë mënyrë. Duhet parë si e gjykon OSBE këtë lloj akti.

Deklaratat e Alibeajt për të mos votuar kandidatët e koalicionit opozitar nuk kanë pasoja te zgjedhësit. Pasoja është se ky grupim ka thjesht një orientim, të sabotojë suksesin e krahut të Sali Berishës. Këtë e tha dhe Bejko vetë, jo kaq qartë. Vetë e bënë situatën që Berisha të kërkojë strehë te logoja e Metës. Ata kërkojnë që në 2025-ën të marrin qyl partinë nga Berisha. Si ka sy e faqe Alibeaj të japë deklarata morali, ai vetë është i komanduar. Parti si në kohën e Ramiz Alisë që dikush emërohet në krye të partisë”, deklaroi Burimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: