SARANDE/FINIQ- Brenda një harku kohor prej tre ditësh në bashkinë e re të Finiqit janë organizuar dy takime për prezantimin dhe mbështetjen e kandidatëve, të dy nga e majta. Pasditen e djeshme në qendër të komunës së Livadhjasë dy deputetë të PS, Andrea Marto e Koço Kokëdhima organizuan një takim me socialistë banorë të zonës. Qëllimi i takimit ishte mbështetja për kandidaturën e MEGA-s, Leonidha Kristo për bashkinë e Finiqit.

Deputeti Andrea Marto ndërsa bëri prezantimin e Kristos, tha se ai është kandidatura e duhur.

“Është nder i veçantë për mua që para jush të paraqes kandidaturën e Leonidha Kristos, që shumica nga ju e njihni. Leonidha është nga djemtë më të mirë që ka zona jonë, nga më të edukuarit, nga më të përkushtuarit, nga më të diturit dhe që shumica nga ju e kanë njohur nga afër, kanë parë kontributin e tij në vitet e shkuara në gjithë pozicionet që ka qenë. Sot në kushtet që ndodhet zona jonë ne themi që Leonidha Kristo është kandidatura e goditur, themi që PS dhe MEGA kanë bërë pas shumë përpjekjesh zgjedhjen e duhur”, tha Marto.

Ai i ftoi banorët” të zgjedhin Leonidha Kriston që të shikojnë ndryshimin, të shikojmë një bashki model,  e cila do të jetë jo vetëm në jugun e Shqipërisë por edhe më gjerë, një bashki shembull për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti tjetër i PS, Koço Kokëdhima. Në fjalën e tij ai tha midis të tjerave: “Jani Babin unë e kam të njohur dhe mik në kuptimin personal dhe njerëzor por në këtë betejë nuk e kam mik politik. Në këtë betejë ne do të mbështesim Partinë Socialiste të minoritetit. Partia Socialiste e minoritetit e ka bërë zgjedhjen e vet  ka zgjedhur kandidatin e partisë MEGA, Leonidha Kriston për ta mbështetur për kryetar të bashkisë së re të Finiqit”.

Në fund të takimit, pyetjes se ditën e diel kryetari i Parlamentit ka mbështetur në Finiq kandidatin e shpallur nga PBDNJ, deputeti socialist Andrea Marto u shpreh: “Unë kam  kryetar partie Edi Ramën dhe jo Ilir Metën”. Ndërsa deputeti tjetër Koço Kokëdhima nuk pranoi të shprehej ndërsa u justifikua se “çdo gjë e thashë në takim”.

Tre ditë më parë, të dielën paradite, PBDNJ organizoi takimin për të prezantuar kandidatin e përzgjedhur nga kjo parti për bashkinë e Finiqit ku merrte pjesë gjithashtu edhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë Ilir Meta.

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule duke shpallur kandidaturën e kësaj partie për bashkinë e Finiqit, tha se Jani Babi është njeri i punës.

“Për bashkinë e Finiqit kandidojmë zotin Jani Babi, që ju e njihni më mirë se unë, më mirë se zoti Meta, më mirë se çdo njeri tjetër. Jani Babi është një nga njerëzit e njohur në zonë. Është një njeri i punës, është një njeri sistematik, është një njeri që përpara vështirësive nuk stepet”, tha Dule.

Kandidaturën e PBDNJ për bashkinë e Finiqit, Jani babi e ka mbështetur edhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta. “Mendoj që kjo bashki ka nevojë për një vizion sa më të plotë në zhvillimin e saj, që t’í shfrytëzojë të gjitha këto kapacitete që shtohen, gjithë këto resurse që shtohen, gjithë këto mundësi që shtohen dhe natyrisht jam i bindur që Jani Babi është një kandidaturë mjaft e gjetur duke qenë se ka një përvojë të spikatur. Prandaj jam këtu t’i uroj suksese zotit Jani Babi, t’i uroj suksese dhe PBDNJ, një aleate e vendosur e Alenacës për Shqipërinë Europiane. Natyrisht zgjedhjet kanë ato taktikat e tyre por kjo aleanca jonë me PBDNJ është një aleancë strategjike dhe unë besoj se Jani Babi është drejtimi i duhur për bashkinë e Finiqit”, deklaroi Meta.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: