Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin ‘’Frontline’’ të Marsela Karapanços, në News24, ka folur për zgjedhjet për kryetar në PD, që do të mbahen më 13 qershor.

Teksa tha se mbështet Lulzim Bashën, duke sqaruar dhe arsyet, Gjekmarkaj ironizoi kandidatët e tjerë përballë Bashës, duke u shprehur se PD nuk është ”call-center” dhe s’mund të kandidojnë figura të vogla me ambicie komike.

“Në PD nuk mund të përsëritet skema e Edi Ramës me sondazhe të trukuara e të tjera mekanizma. Ose të ketë figura të vogla me ambicie komike. PD nuk është call-center”, tha deputeti Gjekmarkaj.

Më tej, Gjekmarkaj deklaroi se Basha momentalisht është dukshëm fitues dhe protagonist, dhe detyra e tij tashmë është të marrë mandatin e mbrojë partinë, kurse kandidatët e tjerë janë për ambicie personale në garë.

‘’Detyra e Bashës është të marrë mandatin dhe të mbrojë partinë nga agresioni ku ndodhet. Kandidatët e tjerë janë në garë për ambicie personale’’– shtoi  Gjekmarkaj.

Sipas tij, zgjedhjet e 25 prillit ishin masakra elektorale më e madhe e 30 viteve demokraci dhe për këtë s’ka pse të fajësohet apo akuzohet Basha ose t’i kërkohet dorëheqja si kryetar i PD.

Ndërsa për shpalljen ‘non grata’ të Berishës, Gjekmarkaj ripërsëriti se ishte një aksident dhe nuk do dëshironte kurrë që Ramës apo ndonjë përfaqësuesi të PS t’i ndodhte e njëjta gjë.

PYETJA: Besoni se zgjedhjet në PD do sjellin forcim të selisë blu?
Gjekmarkaj: Absolutisht që po. Mendoj që PD është e fortë, e provoi këtë në zgjedhjet e fundit, sepse qe përballë një masakre elektorale. Ndoshta pak e vetmuar u la dhe nga ndërkombëtarët, për hir të disa qëndrimeve të kësaj partie ose të partisë sonë në të kaluarën, por do t’i shohim në vijim. Gjithsesi, ajo tregoi forcë. Sigurisht që do të jetë më e fortë. Lulzim Basha ka një detyrë historike sot, të mbrojë PD nga agresiviteti, sepse kjo parti është në agresion mediatik dhe politik e shtetëror. E kemi vënë re këtë para tre javësh në zgjedhjet e fundit. Jemi përballur me të gjitha falangat e një shteti dekadent. E ka për detyrë ta mbrojë atë nga sulmet e banalitetit, ta mbajë atë një parti të fortë, që do t’i prijë ndryshimit. Duke qenë një dëshmitarë që i ka parë nga afër përpjekjet e Bashës për ta lexuar shoqërinë shqiptare, përpjekjet që ka bërë për t’iu përgjigjur asaj në fushatë elektorale, përpjekjet që ka bërë për programin, duke ofruar një program model, mendoj që atë e bëjnë të dashur për anëtarësinë e PD, por në të njëjtën kohë edhe të nevojshëm. Kështu që unë e shoh të plotë rikonfirmimin e Bashës në krye të PD.

PYETJA: A po hidhen poshtë këto përpjekje nga kandidatët e tjerë, që kërkojnë dorëheqjen e Bashës?
Gjekmarkaj: Të jem i ndershëm janë disa kandidatura që kanë dalë, ndoshta njerëz të respektuar, por një pjesë e atij grupi “Për PD”, me përjashtim të Bujar Nishanit, që ka pasur një qëndrim të fortë opozitar në katër vite, mendoj që pjesa tjetër vetëm i kanë bërë luftë PD në katër vite, luftë mediatike, ose kanë qenë indiferencë dhe jashtë çdo beteje që ka marrë Basha. Në këtë pikë, duke pranuar kandidaturat që vinin nga ato, ndoshta lidershipi i PD dhe Kryesia e saj janë kompleksuar pak. Nuk do të ishte e nevojshme kaq tolerancë, megjithatë nuk ka asgjë të keqe nga gara. E rëndësishme është që në PD të mos përsëriten fenomene nga ambiciet ndonjëherë qesharake të ndonjë personi. PD nuk është ‘call-center’, nuk është ndërmarrje fasonësh. Nuk mund të shpiken sondazhe të paguara apo fenomene të tjera që ne i kemi denoncuar, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë procesit politik të pranverës që u përmbyllën me masakrën elektorale të 25 prillit. Shpresoj që ambiciet e ndonjë personazhi, që në pamje të parë mund të duken ambicie komike..

PYETJA: Kujt i referoheni?
Gjekmarkaj: Nuk kam ndërmend të përmend emra, thjesht po flas për fenomene, nuk do doja që të ndodhin, edhe pse jam i bindur që trupa e PD, anëtarësia e PD, do të refuzojë bindshëm çdo tendencë të tillë, duke i lënë njerëzit në tentativat e veta, sado të diskutueshme, pse jo komike në dukje. Do të përmbyllim një proces elektoral korrekt më 13 qershor. Mendoj që do të ketë kryetarin e saj, Lulzim Basha. Unë nuk kam asnjë kompleks të them që mbështes Luzlim Bashën, për arsyet që thashë, por mbi të gjitha duke pretenduar prej tij një reformim të thellë të PD, një reformim cilësor, një hapje ndaj elitave të këtij vendi, kush ka dëshirë t’i atashohet PD, duke ndërtuar institucionet e brendshme të forta, si Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, në mënyrë që në vjeshtë ne t’i përligjemi fort kësaj qeverie qoftë në Parlament, qoftë në forma të tjera, që do na thërrasë beteja politike.

PYETJA: A nuk është fundi i PD dorëheqja e Bashës?

GJEKMARKAJ: Nuk varet fati i PD nga një individ. Basha ka detyrën të mbrojë PD dhe ekzistencën e saj nga agresoni ku ndodhet. Nën agresion shtetëror,mediatik, dhe e ka detyrë për ti qëndruar në ballë dhe për të marrë mandatin tjetër për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve.

E vërteta është një, s’ka dy. Ne në PD besojmë që kemi pasur një masakër elektorale, inxhinieri, vjedhje masive. Inxhinieria ka filluar më 5 qershor, ndryshimi i Kodit, Kushtetutës, rindërtimit, të gjitha format që i përdori kryeministri.

Ka pasur probleme teknike, por nuk ishin këto relevante, stema e manipulimit. Ka ndodhur më parë. Ne në PD besojmë që kemi pasur masakër elektorale, kur besojmë këtë, s’kemi pse fajësojmë Bashën dhe as të kërkojmë dorëheqjen. Ata që pranojnë masakrën dhe kërkojnë dorëheqjen e Bashës atëhere ushqehen nga ambiciet personale për tu bërë kryetar.

Pse nuk i përgatiti 700 mijë votuesit në mënyrë ushtarake? Nuk mund ti bëhej kjo akuzë Bashës. Po e them me ironi. Për çfarë duhet të akuzojmë Bashën? Që shteti u bë me partinë. Pse nuk u përlesh trup më trup me Ramën, parti me parti.

Berisha e pranoi humbjen në 2013, ishte në pushtet kur i humbi, nuk ia vodhën. Në 2013 Edi Rama bashkë me koalicionin me Ilir Metën fituan zgjedhjet, dhe Berisha mbajti fjalën edhe u dorëhoq.

Në Shqipëri ka ndodhur masakra më e madhe elektorale në 30 vite, atëhere akuza që mund ti bëhet Bashës është pse nuk rezistoi ushtarakisht? Por PD nuk është parti militare.

PYETJA: Cilin do të veçonit si kandidatin që po qaset më afër anëtarësisë së PD, kush po bën fushatën më të mirë të PD?

GJEKMARKAJ: Besoj që është garë e pabarabartë, e nxjerr dukshëm Bashën që në nisje protagonist e fitues. Kështu që në këtë Basha është më afër anëtarësisë, realitetit e sigurisë që i jep votuesve.

Tre javë janë më se të mjaftueshme për fushatë elektorale. 12 qarqe ka, takime të grupuara, mëse kohë e mjaftueshme, PD ka vendosur gjithë infrastrukturën në dispozicion. Kadilli u tregua etik, nuk doli nga hoteli por nga selia për konferencë. Rregullat janë të gjitha të shkruara për gjithë kandidatët.

PYETJA: A duhet të pranohej kandidatura e Ibsen Elezit?

GJEKMARKAJ: Nuk jam pjesë e strukturave të PD apo aty ku janë marrë vendimet. Elezi edhe mund të ishte, edhe s’mund të ishte, nuk e njoh si person. Ai ka qenë kohët e fundit e në përgjithësi grupi për PD, që përveç Nishanit që ka bërë opozitë të fortë, të tjerët ka bërë opozitë ballore ndaj Bashës, opozitën e opozitës. Nuk e di sa etike është t’ia paraqesësh këto kandidatura anëtarësisë.

Nëqoftë se një kandidat x në vazhdimësi nuk bashkohet me kauzat e kësaj partie, nuk e di nëse meriton më të jetë anëtar i kësaj partie. Unë po të isha do i pranoja të gjithë, edhe Elezin. Por ky është një vendim nga Kryesia e PD. Unë s’jam fort në dijeni si funksionojnë.

PYETJA: Kandidimi i Agron Shehajt?

GJEKMARKAJ: Është e drejta e tij për kandidaturë. Duhet të bëjë një fushatë etike, të pranueshme me mjete demokratike. S’ka arsye që Shehaj të përjashtohet, se ka kandiduar ndaj Bashës? E pakuptimtë dhe se ka kërkuar njeri këtë. Do ishte pa logjikë.

PYETJA: Shpallja non grata e Berishës nga SHBA, kanë pasur zero komente prej kandidatëve, pse po ndiqet kjo strategji?

GJEKMARKAJ: Unë kam folur, jam deputet i zgjedhur i PD. Qasje personale, nuk ka vendim poltiik në PD për të mos folur për Berishën. Po të kishte nuk do flisja. Por unë do flas se jam person i lirë. Mendimin tim do e them për një ngjarje. E kam dhënë mendimin për vendimin për Berishën, e kam quajtur aksident. Të tjerët është çështje etike. E quaj një aksident në tërësi sepse kam respekt për Sali Berishën si qytetar, pedagog, njeri i angazhuar, për kontributin e tij 30 vite.

Është politikani më properëndimor që e ka afruar Shqipërinë nga Lindja në Perëndim. Jam në pritje të transparencës ng DASH. Do uroja të ishte një aksident dhe Berisha të çlirohej nga çdo akuzë.

PYETJA: A do ketë të tjerë personazhe të rëndësishëm politikë në listën e zezë të SHBA?

GJEKMARKAJ: Shiko, së pari nuk do doja asnjë shqiptar të shpallur non grata nga SHBA, as nga kundërshtarët politikë. S’është gjë e mirë për vendin. Berisha ka qenë Presdient, kryetar i PD. 8 vite pa pushtet dhe këtu është paradoksi, pra pse, çfarë ka ndodhur. Nuk do doja të shpallej Rama e asnjë tjetër nga PS. Shpresoj të kemi transparencë të plotë. Të kuptojmë pse është marrë ky vendim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb