TIRANË

Gara për ndërtimin e rrugës Milot-Fier do të rihapet sërish. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një interviste televizive, ku njoftoi edhe detaje nga gara e zhvilluar për këtë projekt, i cili është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian.

Balluku sqaroi se në garën që u zhvillua për ndërtimin e këtij segmenti, u paraqit një ofertë, e cila parashikonte një çmim prej 0.62 euro për kilometër, nga 0.75 që ishte tavani i vendosur nga Qeveria Shqiptare, por kjo kompani nuk plotësonte kriterin sa i takon afateve kohore për ndërtimin e kësaj rruge. Në këto kushte, tha Balluku, gara për ndërtimin e rrugës Milot-Fier do të rihapet për t’ju dhënë një tjetër mundësi konsorsumeve për të paraqitur ofertat e tyre.

“Për rrugën Milot-Fier ne kemi pasur një ofertë të cilën e kemi këqyrur me shumë vëmendje duke qenë se ishte një ofertë shumë voluminoze. Oferta fatkeqësisht nuk është e vlefshme. Oferta teknike ka ardhur shumë e mirë, nga tavani 0.75 që ne kemi vendosur për kilometër, oferta ka ardhur me 0.62 euro për kilometër. Problemi është që nuk përmbushen kushtet teknike. Një nga kushtet teknike është koha e ndërtimit të këtij segmenti nga ne ka qenë e kërkuar, 60 muaj, ndërkohë që kompania që ka ofertuar ka ardhur me 96 muaj.

Kjo e bën ofertën e pavlefshme pasi ka qenë një nga kriteret. Kështu që kompania ka dështuar pavarësisht ofertës së shkëlqyer financiare që solli për 0.62 euro për kilometër. Nuk e kemi një ofertë të qëndrueshme, kështu që Milot-Fier do rihapet për ti dhënë mundësi edhe një herë të gjitha kompanive të interesuara, konsorsiumeve që të marrin pjesë”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: