TIRANE

Olsian Çela është kandidati i parë zyrtar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat kushtetues. Magjistrati i orëve të para e dorëzoi këtë të premte kandidaturën e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe mbetet në pritje të emrave që do ta rivalizojnë në garë, ku me e mundshmja është Arta Marku.

Njeriu që drejtoi për 4 vite me radhë prokurorinë për Krime të Rënda, kohë gjatë së cilës u goditën banda të fuqishme kriminale, synon në marrë në duar frerët e institucionit qendror të akuzës, që po e qeveris përkohësisht Arta Marku.

Në fakt, prokurori që konsiderohet si kandidati më i fortë në garë, ka një histori përplasjeje me prokuroren e përgjithshme të përkohshme, pasi me firmën e kësaj të fundit, u transferua përkohësisht në institucionin e akuzës në Berat, pas një debati për dosjen “Shullazi” tek Krimet e Rënda.

Nuk vonoi shumë dhe gjykata i dha të drejtë magjistratit Çela, duke e konsideruar të paligjshëm urdhrin e kryeprokurores së përkohshme për transferimin e tij. Pas kësaj Këshilli i Lartë i prokurorisë votoi për rikthimin e ekspertit të reformës në drejtësi, në prokurorinë për Krime të Rënda, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën për të kandiduar.

Po cili është profili i Olsian Çelës?
I konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’, e nisi karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror tek Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve ka është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.

Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb