Egnatia e Rrogozhinës është zyrtarisht në Superligën Shqiptare sezonin e ardhshëm. Klubi i qytetit të Rrogozhinës ka bërë një sezon fantastik dhe sot e ka blinduar me fitoren 1-0 ndaj Besës së Kavajës për të vulosur kreun e Grupit B në Kategorinë e Parë.

Nuk është rastësi që Egnatia këtë vit siguroi Superligën teksa në përbërje kishte emra të mëdhenj për futbollin shqiptar duke nisur nga stoli, Gugash Maganin apo në fushë Artur Maganin, Ndriçim Shtubinën, Alked Çelhakën, Gëzim Krasniqin apo dhe 3 brazilianët Eller, Ramos e Jackson.

Egnatia rikthehet në Superligë pas 16 vitesh pritje, dhe për herë të fundit ka luajtur në sezonin e largët 2004/2005 ku kapi vendin e parafundit.

Nga ana tjetër një rikthimi i madh po përgatitet në grupin A, ai i Dinamos. Blutë janë vetëm 3 pikë larg ngjitjes, dhe duket se do i japin fund rrugëtimit të zymtë prej 9 vitesh që po kalojnë në Kategorinë e Parë.

Në rast se Dinamo ngjitet në Superligë, atëhere kampionati do të ketë 3 ekipe kryeqytetase.

Ndërkohë gara për Superligën s’ka mbaruar. Vendet e dyta të çdo grupi do të ndeshen me njëra-tjetrën për t’u përballur më pas me vendin e 8-të të Superligës. Nga grupi A shanset i kanë Burreli me Korabin e Peshkopisë, kurse nga grupi B Tomori i Beratit me Pogradecin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb