Këtë të hënë në emisionin “Pikat mbi i” në News24, i ftuar ishte deputeti i PD, Belind Këlliçi, i cili po ashtu ka shpallur dhe kandidaturën e tij në Primare për bashkinë e Tiranës.

Këlliçi foli për situatën në PD dhe ndarjen mes dy grupeve, ndërsa analisti Artur Zheji tha ndër të tjera se kjo ndarje do të dëmtojë opozitën në këto zgjedhje vendore.

“Mendoj se zgjedhjet dhe ndarja është një ekuacion që dëmton opozitën. Ende mendoj se PD nuk ka dhënë gjithçka që ndarja të mos ndodhë. Ndëshkimi është ai që nuk duhet të jetë…”, tha Zheji.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat tha se nuk ka një përçarje aq të madhe në bazë, sa është në grupin parlamentar.

“Nuk besoj se PD ka atë valencë përçarjeje, saç është në grup parlamentar dhe në bazë, në bazë nuk e ka këtë frakturë kaq të madhe, dhe pse besoj fort që në këtë garë PD i duhet qoftë dhe një votë. Nëse ata janë kundër primareve në parim, cila është mënyra më e mirë që të gjetur një kandidat? Gjykoj se disa parime për të cilat u rithemelua PD, janë parime të panegocieshme dhe nuk mund të shkelen. Gjykoj se prapë ka kohë që të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për të qenë bashkë”, deklaroi Këllishi.

Më tej ai shtoi se gara për Tiranës është një betejë politike, por me fokus tek qytetarët dhe nevojat e tyre, teksa shtoi se prioritet i opozitës duhet të jetë largimi nga bashkia i Erion Veliajt, dhe se duhet të punojnë për këtë së bashku.

Ai tha se do te jetë i hapur deri në momentin e fundit që PD të bashkohet.

“Gjithçka që ndodh me politikat lokale apo të qeverisjes, vijnë për shkak të një vizione, dhe nuk po them se është një përballje politike mes Berishës dhe Ramës, por është përballje për qytetin. Të qenurit Veliaj kandidat i PS është emërues i përbashkët për të gjithë kampet, për të qenë bashkë. Unë do shtyj deri në moment të fundit mundësinë për të qenë bashkë. Gjykoj se është momenti që të ketë një koalicion shumë të madh, kjo është formula fituese. Çdo demokrat gjykoj se këtë ka interes të përbashkët. Do të bëj gjithçka për të dalë të unifikuar në këtë përballje elektorale”, u shpreh ai.

Zheji ndërkohë  u ndal në specifikën e Tiranës, që sipas tij, bastionet e së majtës janë të përqendruara pikërisht në kryeqytet.

“ Ka një specifikë, Tirana është e majtë, bastionet e saj janë të përqendruara këtu. Ka qenë shumë e vështirë për të djathtën që të fitonte në Tiranë”, tha ai.

“Unë gjykoj se është një fushatë politike, por targeton nevojat e qytetarëve të Tiranës. Fokusi është qytetari”, tha Këlliçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb