TIRANE- Prej më shumë se një muaji opozita proteston në çadrën e vendosur pranë Kryeministrisë duke kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Por tashmë për këtë kërkesë të dytë të saj, përgjigjja i ka ardhur nga ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafajt.

Gjatë një takimi me drejtues të policisë, ministri Xhafaj ka vënë theksin në rëndësinë e realizimit të një procesi të qetë zgjedhor dhe të sigurt, ku prioritet të jetë garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Sakaq, ministri i Brendshëm ka paralajmëruar penalitete të ashpra për ata punonjës të policisë që implikohen në proces, dhe kalojnë detyrimet që ua parashikon ligji.

“Edhe pak muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Prioritet tjetër kryesor i punës sime si Ministër i Brendshëm do të jetë që çdo veprimtari që do të zhvillohet në kuadër të procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor të jetë një veprimtari në shërbim të përkryer të zhvillimit të zgjedhjeve në respektim të afateve dhe procedurave të parashikuara nga ligji.

Ajo që pritet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe vendas, si dhe vetë në radhë të parë, është paanësia e kryerjes së veprimtarisë së ministrisë në këtë proces për aq sa asaj i njeh përgjegjësi ligji. Dhe kjo do të jetë kryefjala jonë: paanësi në çdo veprimtari që do të kryejmë për mbarëvajtjen e procesit, si dhe në rolin që ka Policia e Shtetit në realizimin e zgjidhjeve sipas detyrave të mirëpërcaktuara tashmë në ligjin përkatës.

Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje apo çdo rol tjetër i Policisë, organeve të saj apo punonjësve të saj që tejkalon në këtë proces kompetencat e përcaktuara nga ligji.

Zgjedhjet janë të qytetarëve dhe Policia u përket qytetarëve. Ndaj nuk do të lejojmë kurrsesi që Policia të ndikojë në këtë proces të shenjtë. Aspirata jonë është zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe financimit të terrorizmit do të jetë një ndër prioritetet gjithashtu shumë të rëndësishme të punës sonë. Sot e përditë vendet europiane po përballen me një pasiguri ekstreme për shkak të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Në këtë luftë Shqipëria ka një rol të rëndësishëm. Pikë së pari për parandalimin e përhapjes së këtyre fenomeneve në vendin tonë. Dhe së dyti, marrjen e masave për evidentimin e tyre.

Shteti ynë ka mbështetjen e pakursyer të partnerëve tanë strategjikë në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe financimit të tyre. Duke mbajtur parasysh se kjo luftë përfshin disa faktorë, prioriteti i punës sonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të jenë përpjekjet maksimale dhe të vazhdueshme për të realizuar të gjitha detyrimet tona kundrejt të gjitha akteve dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara, marrëveshjeve dhe strategjive me të cilat Shqipëria është bërë pjesë.

Veprimtaria jonë do të intensifikohet në këtë drejtim në mbështetjen edhe të partnerëve strategjikë për ta bërë vendin akoma edhe më të sigurt. Intensifikimi i luftës ndaj krimit të organizuar dhe grupeve

kriminale, duke përfshirë këtu edhe organizmin e kultivimit të bimëve narkotike do të jetë një tjetër prioritet kyç i punës sime si ministër.

Puna parandaluese duhet të shkojë paralelisht me veprimtarinë e Policisë së Shtetit në funksion të zbatimit me efektivitet të ligjit penal. Këtu një rol të dorës së parë ka veprimtaria e Policisë Gjyqësore, puna dhe misioni i përbashkët me prokurorët për ndëshkimin e rreptë të veprimtarisë kriminale.

Në këtë aspekt strukturat e Policisë së Shtetit do të nxiten dhe inkurajohen që të fokusohen me hetime proaktive, do të mbështeten me mjete logjistike dhe do të kërkohet që të ndjekin hetime deri në identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Forcat njerëzore në këtë aspekt janë disi të kufizuara në numër. Ndaj kërkohet përqendrim në hetimet që kanë rëndësi parësore për çështje të rëndësishme, duke racionalizuar forcat dhe duke hequr dorë nga puna për dukje dhe shifra që nuk thonë gjë. Puna e çdo oficeri apo agjenti të Policisë do të duhet të matet me rezultate konkretë dhe të arritura në terren në veprimtarinë hetimore, për evidentimin e të gjitha grupeve kriminale, posaçërisht të personave që paraqesin rrezikshmëri të theksuar për rendin dhe sigurinë publike.

Struktura përkatëse të Policisë së Shtetit do të inkurajojnë që të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme, të aktivizojë të gjitha burimet e informimit me qëllim ndërprerjen e lidhjeve që favorizojnë mbështetjen e tyre, deri në arrestimin dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Policia e Shtetit do t’i kushtojw një rëndësi të posaçme forcimit të besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me shërbimet informative. Në disa raste të anashkalimit të strukturave të Policisë dhe të krimit të lidhjeve të shkurtra me misionet e tjera ligjzbatuese duhet të mos përsëriten.

Fakti se për fat të keq ka dhe raste të korruptimit të oficerëve apo agjentëve të veçantë të Policisë nuk duhet të shërbejë si alibi për të përligjur mosbashkëpunimin.

Ndërkohë që është fakt i provuar që në radhët e Policisë punojnë vajza dhe djem me integritet të sprovuar në luftën e përditshme kundër krimit. Këta të fundit të cilët do të mbështeten fort nga ana ime si ministër, janë garancia për të shtyrë përpara punën e përbashkët në interes të ligjit, drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve.

Do të ngrihet në nivel më të lartë beteja jonë kundër aseteve dhe produkteve të krimit të cilët ushqejnë çdo ditë dhe çdo orë paligjshmërinë. U japin forcë dhe siguri organizatave kriminale, financojnë veprimtarinë e paligjshme dhe sponsorizojnë korrupsionin në Prokurori dhe Gjykatë duke shumëzuar me zero punën e strukturave të Policisë së Shtetit.

Për këtë arsye krahas parandalimit dhe represionit kundër krimit do të kërkojë me forca zbatimin e ligjit për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, mbështetur edhe në ndryshimet e rëndësishme që i janë duke iu bërë legjislacionit përkatës në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe që priten të miratohen së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë.

Disa masa reformuese të strukturave të Policisë Gjyqësore dhe hetimit në radhët e Policisë së Shtetit në përshtatje dhe me zgjidhjet e reja të ofruara nga Reforma në Drejtësi në fushën e drejtësisë penale do të jenë pjesë e rëndësishme e axhendës sime në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një Polici e qëndrueshme me integritet të lartë dhe besueshmëri te qytetari është gjithashtu një tjetër prioritet i punës sonë.

Për të arritur këtë qëllim duhet të zhvillohen raporte vlerësimi, për vlerësuar pastërtinë e figurës së punonjësit të Policisë dhe ndoshta ka ardhur koha për të bërë atë që konsiderohet ndryshe edhe Vetting-u i figurës morale të çdo punonjësi të Policisë.

Promovimi brenda strukturave të Policisë së Shtetit do të bëhet vetëm sipas meritokracisë dhe sistemeve të vlerësimit. Në këto kushte dua të theksoj sot se punonjësit e Policisë së Shtetit do të jenë shërbëtor të ligjit dhe luftëtarë të krimit.

Tolerancë zero do të aplikohet ndaj çdo shkelje gjatë ushtrimit të detyrës dhe ndaj atyre punonjësve të cilët nuk meritojnë të jenë në radhët e Policisë.

Është detyra ime në radhë të parë dhe çdo drejtuesi të lartë e deri të punonjësi më i thjeshtë i Policisë për tu shërbyer me ndershmëri qytetarëve dhe për të forcuar më tej besimin në rritje të publikut te Policia e Shtetit.

Shtetasit shqiptar duhet të ndihen më të fortë për të bërë denoncim në Polici. Më të mbrojtur për të bashkëpunuar me organet e Policisë dhe të sensibilizuar për të rritur parandalimin e veprave të ndryshme penale”, tha ministri Xhafaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb