Sektori i garave në FSHF ka vendosur që të gjitha ndeshjet e javës së 34-t të Superiores të luhen në një ditë, të shtunën, më 9 maj, në orën 16:00. Përjashtim bën vetëm ndeshja Tirana-Skënderbeu, e cila duke qenë se konsiderohet edhe si kryendeshja e javës, do të luhet në orën 19:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ky përjashtim bëhet për shkak se në këtë përballje do të ndeshen dy skuadrat kryesuese të tabelës së renditjes dhe si e tillë, edhe pritshmëritë për një shfaqje të bukur sportive janë të mëdha, jo vetëm nga tifozeritë e të dyja kampeve, por në mbarë vendin. Ndeshja Vllaznia-Laçi, meqë stadiumi “Loro Boriçi” ka nisur të ristrukturohet, do të luhet në stadiumin “Kastrioti” të Krujës.

Vendimi i sektorit të garave për t’i luajtur të gjitha ndeshjet në të njëjtën ditë në kampionatin e Superiores bëhet me qëllim të për shmangur çdo përllogaritje apo tolerim të mundshëm. Si kundër dihet, kur kanë mbetur edhe 3 javë nga përfundimi i kampionatit, matematikisht 5 është numri i skuadrave që po luftojnë për të siguruar një pjesëmarrje në kupat e Europës, ndërkohë që Teuta edhe Apolonia, ndërmjet tyre janë në një garë mbijetese në Superiore. Një praktikë e tillë e zhvillimit të ndeshjeve në një ditë dhe në të njëjtën orë është përdorur nga FSHF-ja edhe në edicionet e mëparshme.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb