TIRANE- Admir Dervishi, gardisti që u arrestua pasi ekzekutoi mëngjesin e së mërkurës bashkëshorten e tij me armën e shërbimit, doli dje para gjykatës, ku iu caktua edhe masa e sigurisë “arrest me burg”. Seanca gjyqësore ndaj 29-vjeçarit u zhvillua me dyer të mbyllura. Kjo masë sigurie u kërkua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi i riu akuzohet për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Mësohet se, para togave të zeza, i pandehuri ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka deklaruar se e kreu vrasjen për shkak të konflikteve të vazhdueshme që kishte me të shoqen, Ildën.

Ndërkohë, po të njëjtat burime sqaruan, se Dervishi nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese ndaj deklaratave që ka dhënë, duke shtuar më tej se ngjarja ka ndodhur edhe si pasojë e xhelozisë. Vetëm pak minuta pas krimit të kryer, policia e Tiranës vuri në pranga autorin, ku dyshohet se vrasjen e gruas së tij e ka kryer në sy të dy fëmijëve të mitur. Gjithashtu, hetuesit e çështjes sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe armën me të cilën punonjësi i Gardës së Republikës kreu vrasjen.

DËSHMIA
Gjatë fjalës së tij, 29- vjeçari Admir Dervishi ka treguar se vrasjen e ka kryer, se sipas tij, e shoqja nuk e respektonte dhe bëhej xheloze ndaj tij.

“Nuk më respektonte dhe kohët e fundit kishte nisur të bëhej shumë xheloze ndaj meje, gjë e cila kishte filluar të më bezdiste”, mësohet të ketë thënë Dervishi para togave të zeza. Ndërkohë, edhe vetëm pak orë pas arrestimit të tij, me anë të njoftimit zyrtar nga ana e policisë së kryeqytetit u raportua se nga hetimet e para dyshohej se vrasja ishte kryer për arsye xhelozie. Admir Dervishi ka rrëfyer më tej, se ka qenë në konflikte të vazhdueshme me Ildën për arsye të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe gjendjen e tyre ekonomike.

VRASJA
Ishte ora 06:00 e mëngjesit të së mërkurës, kur Admir Dervishi ndodhej në banesën e tij, në “Rrugën e Qelqit”, në zonën e Kombinatit. Gardisti ka nisur të debatojë ashpër me Ildën në sy të dy fëmijëve, djalit 5 vjeç dhe vajzës 8-muajshe. Në debat e sipër, 29-vjeçari ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar mbi 28- vjeçaren, ku njëri prej plumbave e ka kapur në derën e jashtme të banesës ku jetonte çifti i bashkëshortëve. E reja është dërguar në spitalin “Nënë Tereza” në gjendje të rëndë shëndetësore, ku ka ndërruar jetë vetëm 2 orë pas ngjarjes. Në vendin e ngjarjes, hetuesit e çështjes kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë të tipit pistoletë, kalibri 7.62 mm, tre fishekë, kalibri 7.62 mm, dy predha, katër gëzhoja model 54, kalibri 7.62 mm, si dhe një këmishë predhe.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: