NGA DORJANA BEZAT*

TIRANE- Shkaku i konfliktit mes Admir Dervishi dhe bashkëshortes së tij Ilda Dervishi që përfundoi me vrasjen e kësaj të fundit duket se ka qenë marrja e një kredie. Sipas dëshmisë së dhënë nga efektivi i gardës para oficerëve të Policisë së Tiranës, shkak për konfliktin, ishte një kredi e marrë nga nëna e bashkëshortes dhe Ilda Dervishi kishte dale garant.

Admiri nuk ishte dijeni të kësaj kredie dhe të vërtetën e mësoi vetëm kur çifti aplikoi për një kredi tjetër, të cilën do ta përdornin për dyqanin e rrobave, që kishin hapur kohët e fundit.

Pas verifikimit të regjistrit tregtar, punonjësit iu kanë konfirmuar se bashkëshortja nuk mund të ishte bashkë-kredimarrëse, pasi ishte dorëzanë në një kredi të marrë nga nëna e saj vite më parë, e cila nuk është shlyer. Admir Dervishi është konfliktuar me bashkëshorten për fshehjen e kësaj kredie si dhe e akuzonte atë se një pjesë të të ardhurave familjare ajo ia jepte të ëmës.

Gardisti ka pranuar në polici se kohët e fundit debatet mes tyre ishin acaruar shumë gjë që solli edhe ngjarjen e rëndë. Ai ka shprehur shenjë pendese për krimin e kryer, ndërkohë që ka pohuar se nuk kishte për qëllim vrasjen e bashkëshortes dhe veprimin e kishte ndërmarrë në gjaknxehtësi e sipër. Në gjendje të rënduar psikologjike është shprehur i penduar, duke përsëritur frazën, “Nuk doja ta vrisja…”.

E megjithatë, ai ka shpjeguar rrethanat e krimit, duke pyetur herë pas here për shëndetin e gruas së tij, pasi dyshonte se ajo mund të ishte e plagosur dhe nuk kishte vdekur.

29-vjeçarja Ilda dervishi u vra nga bashkëshorti i saj mëngjesin e së mërkurës në sy të dy fëmijëve të mitur. Ilda dervishi ka patur më herët urdhër-mbrojtjeje nga i shoqi. Dokumenti i cili mban datën 24 maj të 2013 ishte lëshuar nga gjykata e Tiranës, pas denoncimit nga vetë viktima Ilda Dervishi, sipas së cilës bashkëshorti i saj Admir Dervishi ushtronte vazhdimisht dhunë fizike e psikologjike. Në dokument madje citohet dëshmia e 28-vjeçares se i shoqi e kishte kërcënuar edhe me armën e punës, me të cilën ai një dite më parë kreu dhe krimin.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb