TIRANE- Problemi për një pjesë të prindërve të zonës së Komunës së Parisit në Njësinë 5, për të patur një çerdhe për fëmijët e tyre, ka marrë zgjidhje nga Bashkia e Tiranës. Një çerdhe e re u hap në këtë zonë të qytetit, e cila ka qenë një investim i munguar për shumë vite me radhë në një nga pjesët më të mbipopulluara të Tiranës.

mbientet e reja të kësaj shtëpize për fëmijë u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ambasadori turk në vendin tonë, Hidayet Bayraktar dhe përfaqësues të kompanisë donatore.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që dita e tij e punës nisi pikërisht me hapjen e kësaj çerdhe, e cila sipas tij ka qenë një nga kërkesat kryesore të banorëve të lagjes.

“Më vjen mirë që puna e ditës së sotme është hapja e kësaj çerdhe të re. Besoj që kur fëmijët vijnë në këtë çerdhe, prindërit na kanë besuar gjënë e tyre më të shtrenjtë, dritën e syrit, dhe kjo është arsyeja pse ne e marrim kaq seriozisht punën tonë sepse kur dikush të ka besuar gjënë më të çmuar të jetës, atëherë sigurisht duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin respekt këtij besimi të madh që na kanë dhënë qytetarët”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai theksoi se punë të tilla janë garanci për një të ardhme të sigurt të qytetit nesër.

“Ka një gëzim shumë të madh kur hapet një çerdhe në qytet: do të thotë që kemi filluar të mendojmë për gjeneratën tjetër, jo vetëm për këto punët e vogla dhe streset e ditës. Do të ishte mirë të kishim një shkop magjik dhe ta rregullonim Tiranën brenda ditës, por kemi zbuluar se ky shkop nuk ekziston. Ama, kemi zbuluar gjithashtu se nëqoftëse çdo ditë bëjmë nga një punë të vogël, sot një çerdhe, nesër një kopësht, një kënd lodrash, një fushë sportive, të mbjellim disa pemë, një rrugë të re, atëherë sigurisht Tirana mund ta shohë këtë magji të transformimit në një periudhë jo shumë të gjatë, brenda këtij mandati”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës po shikon mundësinë që krahas investimeve në ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve të reja, të mund të marrë edhe hapësira të tjera me qira për t’i vënë në dispozicion të fëmijëve dhe për të zbutur sado pak kërkesën e prindërve.

Ka disa lajme të mira, së pari, sigurisht hapja e një çerdhe të re. Kësaj here me një metodë pak më të shpejtë se sa investimi me llaç dhe tulla që edhe për efekt tenderimi dhe për efekt projektimi, merr kohë. Kemi filluar të shohim në qytet nëse mund të marrim direkt me qira godina që tashmë janë të përshtatura si shtëpi të mëdha për t’u transformuar pastaj në çerdhe 2 ose 3-katëshe. Do të vazhdojmë një proces kërkimi në të gjithë qytetin për të kuptuar zonat ku kemi kërkesën më të lartë për ndërtesa të ngjashme që me pak punë mund të konvertohen në çerdhe ose kopshte”, deklaroi Veliaj.

Ai lajmëroi se Bashkia po planifikon që të gjitha shkollat e reja që do të ndërtohen të jenë të pajisura edhe me ambiente dhe infrastrukturën e nevojshme për më të vegjlit.

“Lajmi i dytë i mirë është që në të gjithë shkollat e reja që do të ndërtojmë me projektin e 16 shkollave, do të kemi edhe arsimin parashkollor. Pra një pjesë e shkollës do të ndahet veç, kryesisht për çerdhe dhe për kopsht dhe pastaj i gjithë cikli vërtet ndodh brenda një godine, por me trajtim të veçantë dhe me kategori të veçanta. Kështu që brenda vitit tjetër, Tiranës do t’i shtohen mbi 10 çerdhe dhe kopshte të rinj brenda territoreve të shkollave të reja, pra kampuseve të rinj arsimorë”, shtoi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: