Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund përfshirjes së Rusisë në SWIFT, shërbimi i sigurt i mesazheve që lehtëson pagesat midis 11 mijë institucioneve financiare në 200 vende, në një akt mbështetjeje ndaj Ukrainës.

“Ne po bëjmë thirrje për t’i dhënë fund përfshirjes ruse në SWIFT”, tha një përditësim i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën, të cilin Boris Johnson e publikoi në Twitter.

Bashkimi Evropian është i ndarë në lidhje me kërkesën ukrainase që ky shërbim t’i ndalohet Rusisë.

Në një video-mesazh për ukrainasit më herët të shtunën, presidenti i vendit Volodymyr Zelensky tha se shumica e anëtarëve të BE-së tani mbështesin vendosjen e sanksionit të ri, por i bëri thirrje Gjermanisë dhe Hungarisë të bëjnë të njëjtën gjë.

Ukraina bëri thirrje që Rusia të hiqet nga SWIFT pasi presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi një pushtim të enjten. Thirrja nga Kievi u mbështet nga Lituania, Estonia, Letonia, Qipro dhe Mbretëria e Bashkuar, por vendet e tjera evropiane rezistuan.

Kancelari gjerman Olaf Scholz është vënë nën kritika për mos mbështetjen e masës, për të cilën qeveria tha se do të kërkonte përgatitje të kujdesshme.

Heqja e Rusisë nga SWIFT do ta bënte shumë më të vështirë për institucionet financiare dërgimin e parave brenda ose jashtë vendit, duke shkaktuar një tronditje të papritur për kompanitë ruse dhe klientët e tyre të huaj – veçanërisht blerësit e eksporteve të naftës dhe gazit në dollarë amerikanë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb