TIRANE

Me konfirmimin e prokurorit Besnik Cani këtë të martë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përmbyllur rivlerësimin për të gjithë kandidatët për këshillin e lartë gjyqësore dhe atë të Prokurorisë. Në këto kushte, i është hapur drita jeshile konstituimit të dy institucioneve të reja, Këshillit te Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Larte të Prokurorisë. Referuar ligjit, Xhezair Zaganjori dhe Arta Marku kanë tre ditë afat, nga marrja e njoftimit nga ana e KPK, për të thirrur mbledhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por kryeprokurorja Marku nuk ka humbur kohë. Me të marrë njoftimin nga Komisioni i Vettingut, ajo ka vendosur të thërrasë mbledhjen e prokurorëve në datën 11 dhjetor, në orën 09:00. Në njoftimin e prokurorisë theksohet se pjesëmarrja në mbledhje është e detyrueshme për çdo prokuror të Prokurorive të të gjitha niveleve. Në mbledhjen do të zgjidhen 6 anëtarët e KLP, nga 9 kandidatet qe kaluan siten e vettingut.

E ndërsa pritet qe edhe Xhezair Zaganjori të caktoje një date për mbledhjen e gjyqtareve, kandidatët për KLGJ dhe KLP, të rrëzuar nga shkalla e parë e vettingut, do të vijojnë betejën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për tu rikthyer në detyrë. KLGJ dhe KLP përbehen nga 11 anëtare, 6 anëtarë te prokurorisë dhe gjykatave dhe nga 5 anëtare jo gjyqtarë dhe jo prokurorë, që vijnë nga radhët e juristeve.

Këshilltari ligjor i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, e kaloi me vështirësi provimin e vettingut, për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit urdhëroi që kontrata e qirasë lidhur prej tij me një kompani hidrokarburesh në vend, të kalojë për inspektim. Kjo me qëllim që të përcaktohej nëse nga ana e prokurorit janë kryer ose jo shkelje disiplinore, gjatë ushtrimit të detyrës. Në sitën e inspektorëve, Komisioni vendosi të kalojnë edhe tri çështje të hetuara prej tij, ku ajo me e rëndësishmja është një dosje e vitit 2012, kur Cani drejtonte prokurorinë e Fierit, e në të njëjtën kohë, pranë Bashkisë së këtij rrethi e shoqja kishte përfituar statusin si e pastrehë, me qëllim marrjen e një kredie të butë. Sipas verdiktit të Komisionit, Drejtoria përkatëse pranë prokurorisë së përgjithshme, pritet të nisë punën për inspektimin e dosjeve në fjalë, ndërkohë Besnik Cani do të vazhdojë betejën e tij për të patur një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: