Në aksin rrugor Vlorë-Radhimë si dhe Borsh shumë shpejt do të nisë puna për rehabilitimin e rrëshqitjes së rrugës të ndodhur pak muaj më parë. Punimet në të dyja këto pika pritet të përfundojnë brenda muajit qershor për të bërë të siguruar një qarkullim pa asnjë problematikë për automjetet gjatë këtij sezoni turistik.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho ishin në Radhimë ku dhanë detaje sa i takon punimeve që do të realizohen në të dyja këto pika.

Në zonën e Radhimës rrëshqitja e rrugës ka ndodhur si pasojë e punimeve të kryera në mënyrë abuzime nga biznese që operojnë në zonë dhe për këtë arsye ARRSH ka dorëzuar edhe kallëzim penal pranë Prokurorisë së Vlorës.

“Rëndësi ka që ne kemi marrë të gjitha masat për t’a zgjidhur këtë problematikë. U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve, të cilët janë përballur të dielën e kaluar me trafikun në këtë zonë, për shkak të korsisë që është ngushtuar. Ne në 30 ditë duam t’a mbyllim këtë ndërhyrje, për t’a bërë të aksesueshme plotësisht për të gjithë qytetarët dhe për të bërë edhe një kontroll të imtësishëm të kësaj pjese të rrugës, ku ka pasur edhe ndërtime ilegale gjatë viteve të fundit”, u shpreh ministrja Belinda Balluku, duke njoftuar gjithashtu se do të ndërhyhet edhe në zonën Borshit për të rehabilituar rrëshqitjen e ndodhur aty gjatë muajve të dimrit.

Ndërsa drejtori i ARRSH-së sqaroi se punimet do kryhen gjatë orëve të natës dhe ditëve të javës dhe jo në fundjavë për të mos sjellë problematika në qarkullimin e automjeteve. “Kemi grafikun e punimeve që do bëhen gjatë orëve të natës dhe gjatë ditëve të javës. Fundjavave nuk do ketë punime për shkak të trafikut, që ka zona dhe shumë shpejt do përfundojë si zona në Radhimë dhe pjesa e Borshit”, theksoi Verdho.

Sa i takon sezonit turistik, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe veçanërisht ato në zonat turistike janë marrë masat për të garantuar një qarkullim pa problematika për të gjithë vizitorët, vendas dhe të huaj. “Duhet theksuar që i kemi marrë të gjitha masat për fillimin e sezonit, si për rritjen e sigurisë rrugore ashtu edhe për mirëmbajtjen e të gjitha akseve kryesore, të cilat janë shumë të rëndësishme për pikat turistike, në Velipojë, Shëngjin, Durrës, pjesën e Vlorës dhe gjithë pjesën e jugut”, shtoi Balluku.

Drejtori i ARRSH bëri të ditur se “sapo përfunduam edhe pjesën e mbrojtjes në Shëngjin, ndriçimin komplet të rrugës së Shëngjinit, ndriçimin e urës së Bunës. Praktikisht në të gjitha akset është bërë e mundur që mos të ketë asnjë gropë, me atë të kontratave të mirëmbajtjes, si ato rajonale si ato të Bankës Botërore. Kemi iniciuar tre procedurat për vijëzimet në të gjithë akset kombëtare të cilat përfundojnë në qershor”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: