Gati 65 për qind e 3.3 miliardë eurove që harxhon çdo vit Buxheti i Shtetit (duke hequr fondin e pagave, të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të detyrueshme), pra mbi 1.9 miliardë euro, ne e tenderojmë. Gjykata Europiane e Audituesve, institucioni më i lartë i auditimit në Bashkimin Europian, ka marrë në analizë në një vrojtim të saj të publikuar në korrik 2018, procedurat e prokurimit në vendet kandidate për zgjerim për në BE, për vitin 2017.

Kjo gjykatë, ndër institucionet e auditimit më të zhvilluara në botë, së bashku me GAO-n amerikane, ka gjetur se Shqipëria i zhvillon 30 për qind të prokurimeve publike të saj pa garë! Pra, nëpërmjet procedurës së negocimit, bisedimit. Me qindra miliona euro çdo vit i japim duke shmangur me marifet garën, nëpërmjet procedurës tashmë të bërë të famshme të prokurimit të drejtpërdrejtë, ngaqë në ankand ka ngelur vetëm një veprimtar, kompani private që do paratë e shtetit… Një procedurë e tillë, për shtete të ngjashme me ne, si Maqedonia apo Mali i Zi, zë vetëm rreth 5 për qind të vlerës së të gjitha prokurimeve publike.

Tek ne jo, jemi rast i veçantë! Duhet të kemi gjashtëfishin e tenderave duke shmangur garën, ankandin e mirëfilltë. Një shqetësim të tillë ka disa vjet rresht që po e shpreh edhe institucioni i auditimit të jashtëm në vend, Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH ka vërejtur raste të shpeshta kur, pas daljes së ofertave anomalisht të ulëta, disa operatorë (veprimtarë, kompani private pjesëmarrëse në garë) kanë refuzuar të paraqesin me shkrim sqarimet për ofertën anomalisht të ulët, e për pasojë automatikisht janë skualifikuar nga procedura e prokurimit. Po kështu, edhe pas hapjes dhe leximit të ofertave nga komisionet shtetërore të vlerësimit të ofertave, disa operatorë ekonomikë kanë tërhequr në mënyrë të njëanshme ofertat nga procedurat e prokurimit. Duke hapur rrugën për procedurën e famshme (apo famëkeqe) me prokurim të drejtpërdrejtë, me negocim.

Bisedim e çfarë bisedimi! Është hapësira gri më e favorshmja për marrëveshje okulte, për blerje të titullarëve publikë të institucionit që tenderon. Për pagesat nën dorë 10, 20 apo dhe 30 për qind, sipas oreksit të “sulltanit” firmosës të dikasterit përkatës. KLSH e ka ngritur zërin fort, por ende qeveria i ka të dyja veshët të shurdhër. “Grupi i dytë i shkeljeve dhe dëmeve më të mëdha konstatohet përsëri në fushën e prokurimeve publike”, shprehet KLSH në analizën vjetore 2017, më 15 shkurt 2018. “Vërehet një përqendrim i prokurimeve në një numër të kufizuar operatorësh… Në numër të lartë janë procedurat që kanë diferenca të larta të ofertës fituese dhe fondit limit, pra mbi 20%, fakt që ngre pikëpyetje si për saktësinë e llogaritjes së fondit limit, ashtu edhe për uljen e ofertave në nivele që vënë në rrezik realizimin e shërbimeve, investimeve apo sigurimin e mallrave në cilësinë e duhur”. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë që me qindra milionë euro në prokurimet e fondeve publike nuk shpenzohen mirë, në bazë të normave të një administrate publike të përgjegjshme, se nuk sigurohet vlera e duhur për paranë e harxhuar lumë të taksapaguesve shqiptarë.

Këto ditë po zhvillohet kampionati kombëtar i peshimit të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë, në kuadër të vetingut në drejtësi. Emocionet për përjashtimin e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk justifikojnë pasurinë e tyre vetjake janë të shumta dhe të natyrshme tek ne. Është revanshi qytetar i të gjitha zullumeve që gjyqtarët dhe prokurorët e shitur dhe të korruptuar na kanë shkaktuar. Por vjedhjet më të mëdha në paratë e të gjithë neve nuk i kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët. Ata kanë qenë asistentë të vjedhjeve dhe mbrojtës me mosgjykimin dhe mosdënimin e vjedhësve publikë. Mirëpo vjedhjet janë kryer pikërisht nga ata që firmosin tenderat në fund, titullarët e institucioneve që shpenzojnë miliona dhe dhjetëra miliona euro. Dhe janë kryer shumica pikërisht tek tenderat e zhvilluar me bisedim, me negocim të drejtpërdrejtë nga prania e vetëm një ofruesi!

Kambana e tundur së fundmi edhe nga Gjykata Evropiane e Audituesve, e tundur me dhjetëra herë fort edhe nga institucioni suprem i auditimit në vend, duhet dëgjuar nga dikush. Sigurisht që qeveria do të vijojë t’i ketë veshët e shurdhuar për këto kambana. Ndoshta Parlamenti mund të bëzajë? Si zor, interesat janë shumë të larta për të ngritur Parlamenti ynë komision hetimi. Ngelet vetëm opinioni i shëndoshë publik i vendit. Ngelet shpresa që nuk vdes kurrë se do të kemi “veting” edhe në ato qindra procedura të dyshimta tenderash publikë, që kanë masakruar paranë e të gjithëve. Një ditë. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: