Korça është gati për këtë mbrëmje, që shënon dhe ditën e pestë e të fundit të festës së Birrës.

Tavolinat janë gati, stendat e Birrës Korça e Tirana janë në gatishmëri për t’i shërbyer turistëve të shumtë që kanë frekuentuar qytetin e serenatave këto ditë.

Gazetarja Erjola Jata ka treguar atmosferën në Terminalin e Ri të qytetit.

Atje do të performojë mbrëmjen e sotme, këngëtari kroato-boshnjak Goran Bregoviç. Ai do ta hapë siparin e repertorit të tij muzikor, me këngën “Kosovska”. Shumë surpriza dhe risi priten e këtë mbrëmje në Korçë, që padyshim, do të gumëzhijë nga muzika dhe euforia e të pranishmëve.

“Ndodhem në Terminalin e Autobusëve, aty ku katër netët e mëparshme nuk kanë munguar turistët e huaj. Kemi pasur këngëtarë të njohur të huaj, siç ishte ai grek, Lefteris Pantazis. Kanë qenë dhe tre muskëtierët, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Elton Deda. Kanë qenë edhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi.

Do të presim edhe në natën finale këtu në qytetin e Korçës. Përgatitjet kanë nisur. Çdo gjë është gati. Tavolinat ende nuk janë mbushur, sepse qytetarët po kontrollohen. Unë kam dëgjuar provat e bëra nga banda dhe grupi i Goran Bregoviç.

Ai do të jetë i dyti në listë për të kënduar. Do të kemi në fakt një natë fantastike, siç kanë qenë edhe netët e tjera, sepse qytetarët s’kanë munguar në këtë festë madhështore. Gjithçka nis në orën 20:00. Koncerti do të mbyllet në orën 00:00 që shënon edhe orën policore”, tregoi gazetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb