Tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë janë më të acaruara se kurrë. Së fundmi, zyrtarët ukrainas i kanë kërkuar qytetarëve të tyre që të mos e vizitojnë Rusinë, duke shtuar se ata që ndodhen atje të largohen menjëherë.

“Ministria e Jashtme rekomandon që qytetarët e Ukrainës të përmbahen nga çdo udhëtim në Federatën Ruse dhe ata që janë në këtë vend të largohen menjëherë nga territori i saj”, thuhet në një deklaratë.

Në deklaratë thuhet më tej se “intensifikimi i agresionit rus kundër Ukrainës” do të thotë se ajo nuk do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmë konsullore për ukrainasit në Rusi.

Ky veprim mund të prekë disa milionë shtetas ukrainas, të cilët besohet se jetojnë në Rusi.
Kujtojmë se autoritetet perëndimore kanë paralajmëruar se një sulm rus në Ukrainë është më pranë se kurrë.

Ata kanë paralajmëruar sanksione nëse Rusia ndërmerr një hap të tillë, ndërsa nga ana tjetër, Moska ka pretenduar se nuk ka plan pushtimi. Megjithatë ata kanë kërkuar nga NATO dhe SHBA të largojnë trupat e tyre nga Lindja dhe të mos anëtarësojnë në NATO Ukrainën.

Në të njëjtën kohë Ukraina ka filluar të rekrutojë në ushtri anëtarë të forcave të saj të mbrojtjes rezervë të moshës 18-60 vjeç, pas një dekreti të Presidentit Volodymyr Zelensky.

Ushtria tha se periudha maksimale e shërbimit do të jetë një vit dhe rekrutët me aftësi, si mekanikë, do të dërgohen në njësitë e specializuara.

Zyrtarët shtuan se njerëzit që injorojnë thirrjen mund të përballen me “përgjegjësi penale”.

Ekspertët vlerësojnë se rreth 900,000 njerëz shërbejnë në forcat e mbrojtjes rezervë të Ukrainës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb