Sot në mëngjes stërvitja e fundit në Appiano, më pas dreka dhe fluturimi për në Mançester. Në mbrëmje konferenca për shtyp e Inzaghit nga Etihad Stadium, ndërkohë nesër skena e gjitha për debutimin e Interit në Ligën e re të Kampionëve.Kjo do të jetë axhnda e kampionëve të Italisë deri ditën e ndeshjes së parë në sezonin e ri të Champions League.

Kundërshtarë do të jetë kampionia e Anglisë, Manchester City, që do të testojë kështu forcën dhe ambiciet e kampionëve të Italisë në kompeticionin evropian. Përballë do të jetë gjiganti Haaland me 9 golat e tij në 4 ndeshje të Premierligës duke matur qëndrueshmërinë e një mbrojtjeje që deri tani, edhe pse në nivel kombëtar, larg San Siros ka qenë gjithmonë e suksesshme.

Inzaghit i rikthehen të gjithë futbollistët. Pas pushimit që bënë në xhiron e fundit në kampionat ndaj Monzës rikthehen Acerbi, Bastoni në mbrojtje si dhe Çalhanoglu e Barella në mesin e fushës. Dyshime ka për momentin vetëm për Dimarcon, me anësorin zikaltër që ka një tendosje muskulare. Inzaghi do të vendosë për të vetëm pas rifiniturës mëngjesin e së mërkurës.

Ndërkohë sulmi do të përbëhet sërish nga dyshja Thuram e Lautaro Martinez. Kapiteni zikaltër është ai që po shqetëson më shumë tifozët. Ende asnjë gol në 4 javët e para në kampionat dhe një gjendje fizike që lë shumë për të dëshiruar. Lautaro thuajse nuk e ka kryer aspak fazën përgatitore me Interin këtë verë, pasi erdhi shumë vonë nga Coppa America ku arriti të fitojë edhe trofeun me Argjentinën. Kjo mund të jetë edhe arsyeja kryesore që numri 10 zikaltër nuk po tregon asgjë nga sa pamë sezonin e shkuar ku tërhoqi Interin drejt titullit të 20 kampion me golat e tij.

Ndaj Cityt do të jetë shumë e vështirë. Ekipi i pep Guardiolës shikohet nga të gjithë si ekipi favorit për të ngritur lartë trofeun. Për zikaltrit ende nuk është harruar finalja e humbur e Stambollit 2 vite më parë. Ndoshta është momenti i duhut për revansh?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: