Në Serie A, të konkurrosh me Interin këtë sezon është shumë e vështirë, për momentin vetëm Juventus po arrin të mbajë hapin e ekipit zikaltër, jo vetëm që po e bën diçka të tillë, por javë pas javë po i ushtron presion nga pranë duke i marrë provizorisht edhe kreun. “Zonja e Vjetër” siguroi një tre pikësh të artë përballë Napolit duke thyer kampionët në fuqi në “Allianz Stadium” me rezultatin 1-0.

Në shifra, Napoli dukej superiore, kishin kontrollin e lojës, por Juve diti të mbrohej mirë, kjo është “arma” e tyre më e fortë këtë sezon. Në fraksionin e parë Vlahovic gaboi në çdo rast që u shërbye në zonë, ndërsa Szczensy bëri heroin në të paktën dy momente të pastra kundër Kvaratskhelia dhe Di Lorenzo.

Në pjesën e dytë, ishte Gatti, njeriu i momentin në Torino, që me kokë mposhti Meret duke kaluar Juven në avantazh, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund:

Allegri Juventus
Allegri Juventus

“Të fitonim kundër Napolit ishte shumë e rëndësishme pasi e dërguam në plus 12 diferencën me ta, ky është një rezultat optimal”, u shpreh Allegri pas ndeshjes duke u ndalur më pas te ëndrra titull: “Nëse dëshirojmë të fitojmë titullin duhet të përmirësohemi në administrimin e lojës. Sa më shumë pikë të bëjmë aq më shumë do të qëndrojmë të kapur pas ekipeve më të forta të kampionatit. Ndeshjet direkte kanë më shumë peshë, por titulli fitohet duke pasur një ekuilibër, kjo është forca e ekipeve të mëdha që luftojnë për të fituar titullin”, u shpreh Allegri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb