Kur kanë mbetur edhe 13 javë nga përfundimi i sezonit, Partizani ndodhet në vendin e tretë, duke qenë i distancuar me 4 pikë nga dyshja e kreut, Kukësi dhe Skënderbeu. Fitimi i titullit kampion është një synim i deklaruar nga të kuqtë në tre sezonet e fundit, por më shumë kërkohet që ky qëllim të realizohet këtë vit.

Burime pranë klubit kanë bërë të ditur se presidenti Gaz Demi është i predispozuar për të mos u kursyer, në mënyrë që t’i plotësojë çdo kusht ekipit, që në fund të shpallet kampion. Në mënyrë ekskluzive, “Panorama Sport” ka arritur të zbulojë shpërblimin që presidenca e kuqe i ka akorduar ekipit për fitimin e titullit.

Njëqind mijë euro mësohet se është shuma që është akorduar për momentin nga presidenca si shpërblim për të kuqtë që të fitojnë rivalitetin me Skënderbeun dhe Kukësin. Por, nëse gjërat ecin në rrugën e duhur, shuma në fjalë pritet të ketë rritje, pasi në mes hyjnë edhe donatorë e dashamirës të tjerë të “demave të kuq”.

Gjatë merkatos së dimrit, presidenti Demi u mundua të plotësojë dëshirat e stafit për përforcimin e grupit në mënyrë që ekipi të ishte i plotë dhe me elementë cilësorë për realizimin e objektivit madhor, fitimi i titullit kampion. Demi më herët ka pohuar se titulli i tij personal është ndërtimi i kompleksit, ndërsa shpallja kampion është në varësi të skuadrës dhe stafit teknik.

Ndonëse presidenca është mundur të plotësojë kërkesat e stafit dhe skuadrës, ecuria në 2017-ën nuk ka qenë ajo që pritej, gjë e cila nuk ka lënë shije të mirë edhe te drejtuesit e lartë. Duke parë këto luhatje, mbase presidenca ka menduar të vërë 100 mijë euro shpërblim që sezoni të mbyllet me sukses.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: