Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Thirrjes së kryebashkiakut Erion Veliaj për adoptimin e një çerdheje nga biznesi apo qytetarë që kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë i është përgjigjur edhe aktori i njohur Gazmend Paja. Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, që e ka bërë të ditur këtë lajm nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në “Facebook”. “Aktor brilant, po dhe qytetar model i Tiranës. Gaz Paja është 1 nga 17 bamirësit që kanë ‘adoptuar’ 1 çerdhe për ta riparuar. Kanë mbetur dhe 14. Nëse do të japësh një dorë ta kalojmë këtë situatë emergjence me çerdhet, na shkruaj tek [email protected]”, ka bërë të ditur Veliaj. Në një bisedë që “Summer Pages”, pati me aktorin e “Portokallisë”, ai u shpreh i lumtur për misionin që ka marrë përsipër si dhe arsyen përse iu përgjigj pozitivisht thirrjes së numrit një të Tiranës. “E bëra për të dhënë një shembull qytetarie, sepse për këtë ka nevojë Tirana jonë. Nga ana tjetër, duhet të kontribuojmë të gjithë për brezat e ardhshëm që po rriten në Shqipëri”, është shprehur Gazi. Aktori i mirënjohur njihet tashmë për miqësinë e hershme që ka me Erion Veliajn, ndaj me doza besimi është shprehur edhe për kryetarin e ri të bashkisë, që veçmas si mik, e vlerëson edhe si kryetarin e duhur të bashkisë ku jeton. “Pranova të adoptoja një çerdhe sepse ndër të tjera unë besoj shumë tek Erion Veliaj, mendoj që është personi i duhur për t’i kthyer fytyrën Tiranës”. Edhe pas ngulmimit tonë, Gazi nuk ka dashur të flasë për shifrën që do të paguajë për çerdhen e adoptuar. Megjithatë, nga burimet tona kemi marrë vesh që shuma që aktori do të paguajë për këtë çerdhe është rreth 20 milionë lekë të vjetra. Shuma do të shërbejë për rikonstruksionin e çerdhes në një kohë rekord. Nga burimet tona kemi marrë vesh që pas Gazit, edhe shumë emra të njohur të biznesit do t’i bashkohen thirrjes për të adoptuar një çerdhe.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: