NGA ANILA JOLE*

GREQI- Gazeta greke “Kathimerini” ka analizuar qëndrimet dhe deklaratat e fundit te kryeministrit Rama, veçanërisht ato lidhur me bashkimin Shqipëri-Kosovë. Sipas analistit të njohur për çështjet e Ballkanit Stavros Tzimas, me deklaratat nacionaliste kryeministri shqiptar ka zhgënjyer ndërkombëtarët që besuan dhe investuan te ai si një lider perëndimor që do të udhëhiqte Shqipërinë në familjen europiane:

“Edi Rama hyri në skenën politike të Shqipërisë me kurorën e një lideri modern. Si kryetar i bashkisë së Tiranës tregoi se kishte ide të reja dhe një vizion europian. Shumë  besuan dhe në veçanti europianët dhe amerikanët se më në fund u gjet lideri që do t’ë ndryshonte imazhin e Shqipërisë”, shkruan Tzimas. Sipas shkrimit, vendi kishte nevojë  të udhëhiqej nga  një person publik me një kulturë tjetër politike, pasi ndërkombëtarët ishin lodhur duke i tërhequr vëmendjen Berishës sa herë ky i fundit delironte i frymëzuar nga “Shqipëria e Madhe” apo “Natyrale”.

Investuan tek Edi Rama me besimin se ai do të udhëhiqte përpjekjen që “vendi i shqiponjave” të hapte një faqe të re. U zhgënjyen të gjithë. Jo vetëm që mbetën në baltë premtimet për modernizimin e shtetit dhe shoqërisë, por Edi Rama rreh në të njëjtën hava të konfliktit politik dhe nacionalizimit. Kur rrëmbehet në parlament me kundërshtarët e tij politikë si në një atmosferë rruge, ky është problem i shqiptarëve që durojnë dhe pranojnë të tilla fenomene. Por kur ndërhyn me predikime për  bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, duke kërcënuar se “kjo do të ndodhë  ose si një proces i kuptueshëm  në kuadrin e integrimit të dy vendeve në  Bashkimit Europian  ose do të realizohet si një reagim ndaj verbërisë dhe plogështisë së Bashkimit Evropian” atëherë ai bëhet i rrezikshëm për stabilitetin rajonal.

Me tej shkrimi vijon me fjalët: “Nuk mundet që një kryeministër të jetë injorant në histori, se nëse për t’u hakmarrë ndaj europianëve shkrin kufijtë dhe bashkohet me Kosovën dhe komuniteti ndërkombëtar e pranon, pse mos ta bëjnë këtë edhe shqiptarët e Maqedonisë, serbët e Veriut të Kosovës apo serbët e Bosnjës dhe Kranjës të krijojnë Serbinë e Madhe? Pse mos të kërkojnë edhe grekët e jugut të Shqipërisë të bashkohen me Greqinë, e kështu me radhë? Ndoshta Rama nuk po e kupton që luan me zjarrin dhe se me të tilla krekosje nuk hyn kurrë në Bashkimin Evropian” përfundon Kathimerini.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: