Shqipëria turistike po shndërrohet në një ndër destinacionet më të preferuara turistike për qytetarët çekë, konstaton një nga gazetat më të mëdha çeke “Mlada Fronta Dnes”, sipas të cilës, Shqipëria tashmë është një ‘Kroaci e dytë’, me gjithë ngjarjen tragjike të izoluar që ndodhi para pak javësh. Kjo është bërë e mundur edhe në sajë të kontakteve që ka vendosur Ambasada e Shqipërisë në Pragë me median vendase dhe negociatave të suksesshme me kompaninë ajrore çeke “Smart Wings”, e cila në qershor të këtij viti nisi fluturimet ajrore direkte Prage-Tiranë-Pragë, çdo të hënë. “GSH” po sjell sot të përkthyer shkrimin e gazetës më të madhe çeke, e cila shkruan me nota mjaft pozitive për turizmin shqiptar.

Jan Brozh Redaktor i “MF Dnes” PRAGË

Rrallë ndodh që një vend, i cili u ka sjellë kaq fatkeqësi turistëve çekë si p.sh. humbja e studentëve në vitin 2001 ose vrasja e sivjetshme e çiftit nga qyteti Sushicë, të ketë preferenca në rritje dhe të bëhet për çekët një “Kroaci e dytë”, si dhe një nga destinacionet më të preferuara turistike. Modernizimi i infrastrukturës së hotelerisë në Durrës etj, për të zbuluar të panjohurën dhe kryesisht vendosja e linjës direkte ajrore mes Pragës dhe Tiranës, janë arsyet kryesore përse agjencitë turistike çeke po evidentojnë sivjet rritje të vazhdueshme të kërkesave.

“Interesi në gjysmën e dytë të këtij viti është rritur 20-fish, kryesisht sepse është vendosur linja direkte charter Pragë-Tiranë”, – shprehet zonja Eva Sedlmajerova, drejtore ekzekutive e shitjeve të kompanisë “Dovolena. cz”. Një trend të ngjashëm ka sinjalizuar edhe serveri “Slevomat”, sipas zonjës Marie Chytilova. Ndërkaq që interesi për destinacionet tradicionale si Kroacia është konstant, për vendet arabe është në rënie. “E kundërta ndodh me Shqipërinë, e cila ka pasur në krahasim me vitin e kaluar rritje dyfish”, – shprehet zonja Chytilova, duke shtuar se me një ritëm pak më të ulët po rritet dhe interesi për Malin e Zi. Shitësit e paketave turistike janë të të njëjtit mendim, se pavarësisht humbjes tragjike të jetës së dy çekëve, kjo nuk pati ndikim tek kërkesa për blerje paketash për Shqipëri. Turistët e konsiderojnë një ngjarje të izoluar dhe nuk e perceptojnë Shqipërinë si vend të pasigurt.

“Interesi për të vizituar Shqipërinë është i madh dhe deri tani këtë destinacion e kanë vizituar mijëra klientë. Fatkeqësia nuk pati aspak ndikim në kërkesat për paketa turistike”, – thotë zëdhënësja për shtyp e kompanisë “CK Firo Tours”, Eva Njemeçkova. Në të kaluarën Shqipëria ka qenë kryesisht e vizituar nga klientë dhe kompani të specializuara në guida outdoor sidomos në zonat malore. Përgjithësisht rininë dhe individë të ndryshëm i tërheq bukuria e maleve gjysmë të zbrazëta. Kjo situatë kohët e fundit ka ndryshuar. Në hotelet e bregdetit me oferta ‘all inclusive’, gjithmonë e më tepër shkojnë familje me fëmijë ose mosha e tretë, për kura shërimi në rërën e mrekullueshme.

Marrë nga “Mlada Fronta Dnes”

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: