SUEDI- Ismail Kadare cilësohet nga një gazetë suedeze si “Kafka shqiptar”. Në numrin e saj të së martës gazeta “Helsingborgs Dagblad”, botoi një shkrimi me titull “En albansk Kafka”, duke vënë në qendër të analizës tre romane të Kadaresë.

“Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Dimri i madh”, janë botuar së fundmi nga shtëpia botuese “Modernista” në shtetin skandinav. “Kronikë në gur” është një prej romaneve më të hershëm të Ismail Kadaresë. Ndryshe nga letërsia e deri atëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh, partizanë e pushtues, ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve.

Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e “Kronikës në gur”, ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional. Me këtë roman Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me “pafajësinë” e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës.

Së fundmi, shkrimtari i njohur shqiptar dhe ndërkombëtar, Ismail Kadare, fitoi çmimin e Jeruzalemit për vitin 2015, lajmi i cili u bë i ditur pak ditë më parë, nga mediat izraelite. Ky çmim do t’i dorëzohet Kadaresë në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin në datën 8 Shkurt 2015. Librat e përkthyer në hebraisht të autorit janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma” etj.

Ismail Kadare, anëtar i Legjionit francez tё Nderit, ka fituar disa çmime prestigjioze të letërsisë në botë, si Man Booker International Prize, Britani, 2005, Princi Asturias në Spanjë, 2009, etj. Kadare prej vitesh është edhe kandidat i çmimit Nobel.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb