Analisti Genc Burimi, në një lidhje skype në rubrikën “Opinion”, foli për letrën e gazetarëve të News24 dhe Panorama drejtuar kancelarive të Perëndimit në lidhje me sulmet që qeveria dhe kryeministri Edi Rama i kanë bërë medias së lirë.

Burimi tha se “nisma e ndërmarrë është kurajoze dhe kjo u tregon ndërkombëtarëve se kryeministri Edi Rama po cenon fjalën e lirë”.

“E kam parë si nismë të zgjuar kurajoze, por pak të vonuar. Kurajoze pasi nuk është e lehtë që gazetarët ta mediatizojnë këtë aferë gjobash të pandershme që po bën Rama. Është akt kurajoz që keni bërë pa asnjë kompleks. Keni thënë ‘po, është grupi Hysenbelliu që po goditet’ dhe duke vijuar me gjobat. Është pikërisht media e këtij grupi që synohet, jeni ju. Rama synon t’ju mposhtë dhe t’ju çoj drejt vijës editoriale së tij. Shpresoj që të ketë një impakt. A e meriton Shqipëria hapjen e negociatave për BE kur cenohet media e lirë? Këto negociata nga ana teknike do të hapet vitin që vjen, pas një skaneri. Letra juaj këtë tregon, që Shqipëria është në këtë gjendje”, tha Burimi.

Po ashtu, Burimi foli për zgjedhjet e 14 majit dhe refuzimin nga KQZ për mos regjistrimin e PD në zgjedhjet e 14 majit.

“Përfundimisht nuk është marrë vendimi i KAS. Leximi im është në dy rrafshe. E para, pretendohet që Celibashi është i paanshëm, por është i njëanshëm. Për këtë gjë krijohet një konfuzion kaq i madh. Do jetë më e vështirë për tua shpjeguar ndërkombëtarëve. Është një lëmsh e li që po bëhet. KAS do e çojë këtë grupim në zgjedhje.

Opsioni dytë është që KAS të rikonfirmojë vendimin e KQZ. Për mendimin tim, asgjë nuk është spontane. Kjo është me letër dhe laps në dorë. Celibashi ka një farë peshe. Ai tha se ‘Berisha është drejtuesi real i PD’. E kishte një mendim ai. Ky është një skenar, dhe duan të marrin për budallenj ju në Shqipëri, por jo Perëndimin. Ai ju merr ju për budallenj”, tha Burimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb