Gazetari holandez me nënë shqiptare Vincent Triest ka qenë i ftuar sot në “A show” në News24 ku ka folur për jetën e tij por edhe për vendimin e parlamentit të Holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët.

Ai tha se Shqipëria me Holandën kanë kultura të ndryshme, ndërsa për sa i përket vendimit për vizat, Triest tha se është një sinjal që duhet lexuar qartë.

“Unë përpiqem t’i qëndroj fakteve, t’i përshkruaj gjërat sa më mirë. Përpiqem t’i informoj njerëzit.
Në Holandë është kultura bëj çfarë të duash. Ndaj prostitucioni dhe kanabisi është i legalizuar. Në Holandë je anonim fare, në Shqipëri të përshëndesin e të njohin. Është një kulturë tjetër”, tregoi ai.

I pyetur se cila është pyetja që i bëjnë më shpesh në Shqipëri, Triest tha: “Çfarë dreqin do këtu?”

Vendimi i parlamentit holandez për të nuk është një qëndrim politik ndaj njërës apo tjetrës palë. Triest tha se Holanda kërkon ndryshim në Shqipëri.
“Nuk kemi të bëjmë me një qëndrim politik. Nuk ka bërë një reagim ndaj PD apo PS. Kemi të bëjmë me një sinjal të fortë për njerëzit në Shqipëri.
Ata shpresojnë që duke i dhënë sinjal njerëzve diçka në Shqipëri mund të ndryshojë. Ajo që kërkon parlamenti në Holandë është të luftohet më fortë krimi. Kjo nuk është gjë e keqe”, deklaroi Triest.

Sa i përket komunikimit me deputeten holandeze për të cilën u tha se ishte mikeshë e kreut të PD Lulzim Basha, ai tha se është e pavërtetë.
“Unë kam dëgjuar lloj-lloj gjërash këtu. Ai diskutim që kam pasur ishte shumë e mprehtë, ata duan diçka që të ndryshojë dhe deklaratat se ka miqësi etj janë të pavërteta.
Kjo çështja e vizave është akoma shumë larg për të ndodhur diçka e tillë. por ajo që duhet të bëjmë është që duhet lexuar sinjali”, deklaroi ai.

“A e kanë lexuar dhe ata që duhet ta lexojnë? Shpresoj. Ata pretendojnë se kanë rezultate të qarta atëherë duhet t’i vazhdojnë”, tha më tej Triest.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb