TIRANË

Gazetari i News24, Erjon Skëndaj, ngriti përballë kryeministrit Edi Rama shqetësimin se qindra qytetarë të infektuar me koronavirus po trajtohen nëpër banesa me medikamente që përdoren vetëm në spital, madje për pacientët në terapi intensive.

Gjatë bashkëbisedimit live me kryeministrit, gazetari Skëndaj tregoi live ilaçin, që sipas tij, po përdoret në masë nga qytetarët, dhe që është ilaçi Davixon intramuskular.

Në përgjigjen e tij, Rama pranoi këtë shqetësim, duke thënë se njerëzit në këtë periudhë janë të prirur të marrin sa më shumë ilaçe, nga frika dhe ankthi i Covid-it.

Rama: Ajo që dua të them nga informacionet, leximet, konsultimet dhe krahasimet e bëra me cfarë ndodh me vendet përreth, është që jo vetëm këtu, njerëzit priren të marrin shumë ilaçe. Megjithëse kjo është diçka që kundërshtohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet shëndetësore dhe ekspertët, mesa duket frika, kujdesi, ankthi, nevoja psikologjike për të qenë brenda, i shtyn njerëzit që të marrin shumë ilaçe. Ndërkohë, ajo që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme, në të gjitha nivelet, dhe në vendet e tjera, është që ky virus duhet trajtuar me disa kura bazë, pa u turrur për të mbingarkuar veten, kur gjendja është jo kritike, dhe kur gjendja shfaqet kritike, duhet shkuar në spital. Aspekti tjetër, për fat të keq, është se në këtë histori bëhet biznes, jo vetëm në Shqipëri, po kudo, nga farmacitë dhe ju jepet njerëzve ilaçe pafund. Ne e kemi thënë që gjëja më e udhës është të merret receta e mjekut të familjes dhe të bëhet trajtimi bazë, për sa kohë gjendja nuk është kritike. Për pjesën tjetër nuk jam në gjendje të jap një përgjigje të kënaqshme për këtë fakt.

Manastirliu: Nuk mund të them që kjo nuk është cështje shqetësuese edhe për ne. Mbetet shqetësim elementi që ka të bëjë me devijimin nga protokollet e standardizuar. Ne kemi protokoll për trajtimin në banesë, që ndiqet nga mjeku i familjes. Protokolli është i ndryshueshëm dhe po rivlerësohet në bazë të evidencave. Për format e lehta të sëmundjes është mjeku i familjes dhe askush tjetër. Edhe mjekët në spitale vërejnë se vijnë qytetarë në kushte të agravuara, duke qëndruar në banesë dhe duke marrë terapi, që duheshin marrë në spital. Ne jemi shumë të kujdesshëm dhe apeli për qytetarët është se në rast të agravimit të simptomave, duhet shkuar në spitale. Sa i përket trajtimit në banesë ka trajtim specifik.

Rama: Erjoni tha se njerëzit zgjedhin të trajtohen në shtëpi, se nuk kanë besim të shkojnë në spital. Ky është një problem, kur ndodh kështu. Është një problem që duhet ta zgjidhim bashkë. Ka pasur arsye për t’u ndjerë jo mirë, kur përmes mediave janë shfaqur raste, të cilat nuk i bëjnë nder sistemit tonë shëndetësor dhe këtu kulmi ishte rasti i asaj sanitares, e cila ishte sjellë si një monstër e vërtetë, duke mashtruar një familje të tërë për të përfituar para. Por, ndërkohë janë me mijëra e mijëra njerëz që marrin shërbimin e duhur, që sistemi funksionon më së miri për shumicën dërrmuese të rasteve dhe njerëzve. Është përgjegjësi e madhe dhe kryesore për ju të gjithë si gazetarë, që në kushtet kur ne nuk kemi akoma një sistem drejtësie, që të bëjë gjënë e duhur, ashtu sic duhet në të gjitha aspektet, të nxirrni në pah këto raste dhe të ndihmoni që bartësit e këtyre fenomeneve të ndëshkohen.

Sanitarja, që sot është në burg, është falë kontributit të një emisioni investigativ. Po flasim për një cështje, që lidhet me interesin e cdo njeriu dhe prek cdo mendje. Është shumë e rëndësishme që të dalë në pah edhe ana tjetër e medaljes. Mjekët dhe infermierët e këtij vendi meritojnë të vihen në piedestal, jo të ndjehen të shkelur me këmbë nga sulmet dhe mënyra si ekspozohet vetëm njëra anë e medaljes, që është shumë e errët patjetër, por që nuk është ana e vetme dhe që është shumë më pak se ana tjetër. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet që rritja e cilësisë së shërbimit, e integritetit profesional, e dinjitetit profesional, e seriozitetit profesional, lidhet me ekspozimin e cdo rasti. Nuk duhet t’u jepet njerëzve një panoramë se kush shkon në spital, vdes ose grabitet. Po të ishte kështu, do të kishim qindra mijëra njerëz o të vdekur larg qoftë, o të grabitur, që nuk është rasti. Ndodhin gjëra të rënda e tragjike në botë, por prapë ka një ekuilibër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb