TIRANE- Gazetari i Top Channel, Klodian Tomori akuzon kreun e Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe se e ka përzënë nga mbledhja. Ai thote sekjo që i ka ndodhur vjen si pasojë e arrogancës dhe standardit të dyfishtë

“Komisioni parlamentar i ekonomisë, si flamurtar i Pushtetit Popullor, ka vendosur një rregull që pas fillimit të mbledhjes nuk lejohet të hyjë askush. Por rregulli forcohet vetëm mbi gazetarët dhe pshurret nga gjithë të tjerët, të cilët mund të hyjnë e të dalin sipas qefit. Rregulli qenka vetëm për gazetarët. Ah jo, ata të TVSH që edhe këta hyjnë e dalin sipas qefit. Shkurt, rregulli ka degjeneruar në standard të dyfishtë. Që këta kanë frikë nga fjala e dinë të gjithë. Po kjo është arrogancë, mendësia e standardit të dyfishtë”, shkruan ai.

Ndërkaq Braçe shprehet se gazetari ka shkuar në mbledhje kur ajo kishte filluar.

“Për ca tekanjozë banalë që kurrë nuk kuptuan ç’është rregulli, kur raporton Guvernatori i Bankës dhe për më tepër kur këtë nis ta bëj në orarin e lajmëruar. Nuk është etike, po fare, fare që një gazetar të vijë pas gjysmë ore dhe për më tepër të sillet vërdallë nëpër sallë, thjesht sepse dikush i ka mbushur mendjen se është më i madh se kushdo tjetër. Nuk e di nëse gazetari në redaksinë e tij shkon pasi ka filluar mbledhja, por edhe nëse e bën atje, s’ka për ta bërë në kuvend. Nëse mikrofoni dhe kamera e TCH është në sallën e mbledhjes në orar, nuk ka pse i zoti i tyre gazetar të bëjë llogje lart e poshtë rrugëve kur ka interes të bëjë punën. Përndryshe, të ndenjurat duhet t’i shkojnë pas punës, jo tangërllëkut”, shkruan Braçe.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: