TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në konferencën e OSBE për Europën Juglindore, “Gazetari në kohë krizash”, ku ka folur për lirinë e medias dhe lajmet fake, duke pranuar se nuk është njeriu i duhur për këto takime.

Ai tha më tej se në emër të lirisë së medias, shumë gjëra që shkojnë kundër konceptit të lirisë ndodhin. Kreu i qeverisë iu referua përhapjes së lajmeve të rreme në internet, të sjelljeve që priren të jenë kundër lirisë së njerëzve të tjerë, kundër të drejtave të njerëzve të tjerë, kundër logjikës, kur vjen fjala për gazetarinë realiste që bazohet në kontrollin e fakteve dhe lirive të qarta dhe mbështetet në ndjenjën e misionit për të përfaqësuar një fuqi të katër reale dhe për t’i trajtuar kësisoj pushtetet e tjera.

“Është padyshim kënaqësi për mua që gjendem këtu pasi diskutuam me ambasadorin e OSBE pak kohë më parë se si të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe se si të bashkojmë përpjekjet për të krijuar një mjedis më të mirë për liritë e medias dhe njerëzit e përfshirë. Nga ana tjetër më duhet të pranoj se nuk jam saktësisht njeriu i duhur për t’u ftuar në këto takime për shkak të opinioneve të mia që ndryshojnë nga ato politikisht korrekte kur bëhet fjalë jo për lirinë e medias, por për mënyrën se si në emër të kësaj lirie, shumë gjëra që shkojnë kundër konceptit të lirisë ndodhin. Po i referohem përhapjes së lajmeve të rreme në internet, të sjelljeve që priren të jenë kundër lirisë së njerëzve të tjerë, kundër të drejtave të njerëzve të tjerë, kundër logjikës, kur vjen fjala për gazetarinë realiste që bazohet në kontrollin e fakteve dhe lirive të qarta dhe mbështetet në ndjenjën e misionit për të përfaqësuar një fuqi të katër reale dhe për t’i trajtuar kësisoj pushtetet e tjera.
Mendoj që ka një vijë të hollë dhe padyshim është e rrezikshme që të përpiqemi t’i kombinojmë dhe t’i bëjmë të dyja bashkë të jetojnë në harmoni, kur vjen fjala nga njëra anë për respektin e lirisë së gazetarëve dhe nga ana tjetër për të respektuar lirinë e qytetarëve. Kur vjen fjala për median në internet, liria e përhapjes së kësaj medie, ka minuar njëfarësoj lirinë e fjalës. Liria e përhapjes nuk mund të jetë njësoj me lirinë e fjalës. Është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, kur bëhet fjalë për rregullimin e kësaj hapësire kaotike ku të vërtetat e gënjeshtrat janë bërë bashkëshoqëruese e bashkëjetojnë duke e bërë të vështirë dallimin.
Nuk mendoj se mënyra më e mirë është t’i largohesh sfidës dhe të mbash një qëndrim që në emër të lirisë na duhet thjesht të bëjmë durim me këtë mal gënjeshtrash, akuzash, shpifjesh apo shantazhesh që ditët e sotme janë shndërruar në problem të madh.
Na duhet që të reflektojmë për këtë. Ndoshta e kemi mësuar në mënyrën më të vështirë se kjo nuk lidhet vetëm me qeverinë apo shumicën parlamentare e aq më pak ka të bëjë kjo me vendet e vogla, pasi kur bëhet fjalë për t’u përballur me këtë sfidë, duhet përballur një mori paragjykimesh dhe reagimesh që vijnë nga bota e korrektes politikisht. Mendoj që kjo lidhet me përpjekjen e përbashkët të të gjitha shoqërive e vendeve demokratike”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb