TIRANE– Gazetari Dritan Laci ka treguar takimin me Ballist Morinën, tifozit që gjendet prej 3 muajsh ne burgun e Kroacisë, pasi kërkohet nga Serbia për dronin e ngritur në Beograd në vitin 2014 gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili, gazetari tregoi momentin e takimit me Ballist Morinën. Dritan Laci tha se ishte një takim miqësor dhe e gjeti me një moral të lartë.
“Duke parë ca letra që vijnë në Tiranë, mendova se do e gjeja një gjendje të rëndë Ballistin, por ai ishte shumë i qetë dhe me moral të lartë. Kemi bërë një bisedë të lirshme. Folëm si është trajtuar nga pala kroate çështja. Ai e konsideronte një procedurë normale dhe e quante veten një të burgosur politik”- tha gazetari, raporton ‘BalkanWeb’.

20170919-211951
Ndër të tjera Dritan Laci tregoi se Ballist Morina i kishte thënë se frika e tij në njëfarë mënyre ishte ekstradimi dhe se vetëm i vdekur mund të ekstradohej në Serbi.

“Skenari më i keq i mundshëm ishte se ai tha se mund të shkojë në Serbi vetëm i vdekur. Ai ishte në kontakt edhe për mediat serbe se çfarë shkruanin për të. Morina tha unë do iki vetëm i vdekur në Serbi”- u shpreh Dritan Laci.

Sipas Gjykatës së Lartë në Kroaci, që vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, vendimin përfundimtar për ekstradimin apo jo të tifozit shqiptar drejt Serbisë e merr ministri kroat i Drejtësisë, Drazhen Boshkanjoviç.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb