TIRANË- Vizita e Kryeministrit Edi Rama në rajonin e Puglias dhe në panairin e “Fiera del Levante” në Bari ka pasur jehonë në mediat

Kanë qenë “Gazzetta del Mezzogiorno” dhe “La “La Repubblica”, të cilat kanëshkruar nga një artikull për marrëveshjet që kryeministri shqiptar ka arritur në Rajonin e Puglias.

“Gazzetta del Mezzogiorno” 

Mes Pulias dhe Shqipërisë një shoqëri për ujin

Me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ka diskutuar gjatë. Michele Emiliano e pëlqen, dhe shumë madje, idenë e hapjes e një fondi për Ujësjellësin Puliez përmes një ndërmarrje të përbashkët me vendin e Shqiponjave. Dje Emiliano i është dedikuar kultivimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Me Edi Ramën tek e fundit, njihemi që nga koha e eksperiencës së përbashkët si kryebashkiak.

“Duam të bëjmë dy gjëra- ka shpjeguar Emiliano. Së pari, një projekt të përbashkët përmes Ujësjellësit të Puljas. Nëse përfshijmë qeverinë mundet të arrijmë një bashkëpjesëmarrje aksionere të Shqipëisë me objektivin që të përftojmë ujin cilësor dhe sasior që ata kanë dhe për të shfrytëzuar kapacitetet tona të shkëlqyera projektuese. Së dyti, do të ndihmojmë Shqipërinë në lidhje me Bashkimin Europian, do të fillojmë menjëherë duke ngritur grupet e punës.”

Guvernatori puljez ka inauguruar me Decaro dhe me Kryeministrin Rama një rrugë të dedikuar Shqipërisë në brendësi të pavionit barez.

Më pas i ka treguar Ramës edhe pavionin e rajonit, të përqendruar në programin e Emilianos. Ka lindu një batutë e Ramës sa i takon dakordësisë për ujin “Një ditë- tha me shaka- mund të prezantojmë shishen e ujit të prodhuar nga shumëkombëshja jonë që mund të quhet uji i një jete të gjatë dhe të lumtur”.

“La Repubblica” 

Porti, një marrëveshje midis Barit dhe Durrësit. Kryeministri firmos.

Autoritetet portuale të Barit dhe Durrësit kanë nënshkruar një “Memorandum Mirëkuptimi” me objektivin e qartë për të promovuar në vitet e ardhshme trafikun e mallrave midis dy porteve të Adriatikut, dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për pasagjerët. Për të filluar këtë fazë të re bashkëpunimi ishin Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që ndodhej për një vizitë zyrtare në Bari, Komisari i jashtëzakonshëm i Autoriteteve Portuale të Lindjes Francesco Mariani, në praninë e drejtorit detar të Puljas dhe Basilicata Ionica Domenico De Michele komandant i portit të Barit.
“Është një mundësi e rëndësishme që ne jemi gati të kapim për të lehtësuar procedurat në maksimum – ka shpjeguar Rama- për transportet, pasagjerët dhe mallrat. Mirëpresim krijimin e një baze të dhënash të përbashkëta siç e parashikon protokolli për të rritur cilësinë, sigurinë dhe tregtinë”.
“Duhet ta shtyjmë sa më përpara bashkëpunimin dhe nëse vitin e kaluar kanë qenë 690 mijë pasagjerë që kanë udhëtuar nëpërmjet dy porteve – ka shtuar Mariani- këtë vit janë deri tani 514 mijë me një rritje prej 5%. Mirëpresim shkëmbimin e informacioneve me Durrësin për të parashikuar shërbimet midis dy porteve, dhe për të qenë në gjendje të njohim fluksin, jo vetë për të bërë kontrollet por edhe për të favorizuar më shumë procedurat”.

Artikulli i dytë i “Gazzetta del Mezziogiorno”

Ish- kryetari i bashkisë së Tiranës i bashkohet idesë së një bashkëpunimi për Ujësjellësin: “Tek ne ligji bëhet për pesë javë”. 

E qorton vazhdimisht Italinë për hapat e saj të ngadaltë dhe për mijëra yçkla pyçkla që frenojnë aksionin administrativ. Dhe u kujton të gjithëve se ligjet ai i bën në pesë javë. Shkon me ngut Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe ish Kryetar i Bashkisë së Tiranës – eksponent i një të majte kapitaliste dhe agresive, që nuk është aspak e butë me rrymat radikale – i cili mbërriti dje në Fiera del Levante në Bari për të zhvilluar një ditë të ngjeshur me takime. Në fillim takimi me guvernatorin Emiliano, pastaj inaugurimi i rrugës “Shqipëria”, kalimi përmes lagjes së panaireve që i dedikohet Vendit të Dy Shqiponjave, dhe në fund bashkëbisedimi me gazetarë dhe sipërmarrës në Pavjonin Unioncamere.

Ndër argumentet e shumta në tryezën e diskutimeve, janë marrëdhëniet dypalëshe midis Puljas dhe Shqipërisë ato që diskutohen më shumë. “Unë këtu ndihem si në shtëpi – thotë Rama me një italishte perfektë – dhe jam i lumtur t’ju njoftoj dy nisma që do të lidhin akoma më shumë dy territoret tona simotra. Nisma e parë ka të bëjë me një pjesëmarrje të përbashkët aksionere të Shqipërisë në Ujësjellësin Puljez, e cila menaxhon në mënyrë të shkëlqyer burimet ujore që ju nuk i keni. Por ne i kemi. Ne kemi ujin, ju keni dijen. Mund të lindë një shumëkombëshe me një të ardhme të begatë. Nisma e dytë ka të bëjë me portet e Barit dhe Durrësit, pas firmosjes dje të një protokolli marrëveshjeje me qëllim kryesor integrimin e sistemeve informative. “Unë i konsideroj këto dy struktura – vazhdon Rama – si dy krahët e të njëjtit trup. Qëllimi ynë është që të kemi një bashkëpunim gjithnjë e më shumë të strukturuar, si edhe të rrisim sigurinë dhe transparencën.”

Dhe përsa i përket strukurave, Rama i kthehet çështjes TAP, e cila në Itali ka shkaktuar grindje pafund. “Një pjatë e gatuar me ideologji – paralajmëron Rama – është një pjatë e helmuar. Dhe në Itali ka shumë trysni ideologjike mbi këtë temë. Unë nuk shikoj rreziqe për ambientin, por vetëm mundësi zhvillimi të cilat duhen kapur pa hezituar.” Ndërsa në lidhje me çështjen e kërkimit të hidrokarbureve, Rama thotë: “Padyshim që detet shqiptare kanë burime interesante, por ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër, atë të kërkimit në tokë. Mendojmë se aty ka burime të mjaftueshme për zhvillimin tonë, përveçse më pak problematika, ndaj nuk do të ndërmarrin operacione të tjera”.

Biseda vjen natyrshëm tek tema dramatike e emigracionit masiv që po trondit gjeografinë njerëzore dhe politike të Mesdheut. Në lidhje me emigracionin shqiptar në Itali, Rama thotë: “Ajo që dukej si një situatë emergjente e pa menaxhueshme u kthye në një burim të çmuar për shtetin italian, ku shqiptarët derdhin sot 3.2 miliardë taksa.”

Nuk ka si të mos flitet dhe për fluksin e anasjelltë që ka sjellë në Shqipëri rreth 22 mijë italianë, shumica e të cilëve sipërmarrës. “Ne taksojmë vetë 15% të fitimeve, dhe rrogat tek ne janë më të ulta se në Kinë. Për më tepër, Shqipëria ofron një forcë punëtore të re dhe në gjendje të flasë italisht. Duke mos harruar këtu afërsinë e madhe kulturore midis dy popujve. Asnjë italian nuk ndihet i huaj tek ne, bashkëndajmë vese dhe virtyte, sidomos – shton duke qeshur – ato që zemërojnë gjermanët. Për shumë kohë e kemi parë Italinë vetë nëpërmjet televizorit: ishim të bindur se ju ishit shqiptarë të veshur me Versace. Sigurisht, realiteti është më i komplikuar dhe unë s’do doja kurrë të isha në vendin e Renzit.”

Por vazhdon me autokritikë: “Më pëlqen të flas për gjërat që janë në rregull, dhe jo për ato që ende duhen bërë. Sidoqoftë, ne vazhdojmë të rritemi me 3%, por di edhe që duhet të bëjmë akoma më shumë. Shqipëria ka marzhe të mëdha zhvillimi, dhe mendoj se të gjithë sipërmarrësit, shqiptarë dhe të huaj ëndërrojnë një vend ku nuk ka as sindikata dhe as parti të së majtës radikale. Pavarësisht Corbyn-it dhe Sirizës, historia i ka dhënë tashmë vendimet e saj”.

“Corriere della Sera” (Edicioni barez) 

 “Ne, një popull plot me ëndrra”

“Jemi një vend plot me ëndrra, ashtu si Italia e dikurshme.” Bumi ekonomik i Shqipërisë për Kryeministrin Edi Rama qëndron i gjithi tek pasioni dhe dëshira për emancipimin e një populli, pas vitesh diktature të egër.  Projekti “Nga Lindja në Perëndim” i Fondacionit Corriere della Sera dhe Corriere del Mezzogiorno mbi tarracën e Pallatit Diana, me ndalesë në dhe rreth Tiranës, mbush një boshllëk të njohurive të italianëve dhe veçanërisht puliezëve në lidhje me vendin e shqiponjave. Në një video intervistë dhënë Maddalena Tulanti-t, Kryeministri Rama, ish kryebashkiaku gjenial i kryeqytetit, është fokusuar në miqësinë mes dy brigjeve të Adriatikut, tani të “bashkuar” përmes trageteve, tashmë të dyfishuar dhe të shpejtë, mes Barit dhe Durrësit (40 mijë shqiptarë kanë ngritur sipërmarrjet e tyre, jetojnë e punojnë këtu dhe krijojnë punë për ne). Më pas ka kujtuar origjinën italiane të lidhur me një gjyshe veneciane dhe të dënuar, se “italianët janë shqiptarë të veshur me Versace”, ka trajtuar të gjitha nyjet e koklavitura të politikës ndërkombëtare. “Ndjejmë mungesën e një Europe të bashkuar, strategjike dhe politike, – ka shpjeguar – ndërsa paguajmë mungesën e strategjive të qarta për Sirinë dhe Pranverën Arabe. Në sfond, shtetet janë kapur rreth interesave të tyre nacionale. Megjithatë, Europa është projekti më i bukur i mendjes njerëzore, për të garantuar harmoninë mes popujve.” Drama e refugjatëve i ka kujtuar publikut të pranishëm anijet e sheqerit nga Vlora në portin e Barit, ndërsa Ramës, kthimin pas në ’99-n , kur “mikpritëm në territorin tonë 500 mijë refugjatë nga Kosova.” Më pas, debati u rikthye tek aktualiteti, me projektin e gazsjellësit TAP, që u konsiderua nga Kryeministri si “gjeopolitikisht strategjik”, “një projekt i garantuar në planin mjedisor, që nuk bën para duke ndotur ambientin në kurriz të brezave të ardhshëm.” Nuk mungoi edhe një krahasim me futbollin, me lavdërimin e trajnerit italian De Biasi, i cili po njeh suksese të mëdha me kombëtaren shqiptare. Rama, që gjatë ditës ka nënshkruar me Presidentin e Rajonit të Pulias, një marrëveshje për statusin e ardhshëm të ujësjellësit puljez, e ka mbyllur intervistën duke kujtuar që “Shqipëria është Italia e gjyshërve tuaj, një vend i vëllazërisë së besimeve fetare, siç e përshkroi edhe Papa Francesku”. Në fund ka përshkruar pluralizmin fetar që jeton në familjen e tij: “Unë jam katolik, bashkëshortja ime është myslimane, dy fëmijët ortodoksë dhe fëmija i fundit katolik.”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: