TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli deklaroi dje, se 50% e parave të dyshuara si të pista legalizohen në zyrat noteriale. Sipas Gazhelit, “nga analizimi në vite, ka rezultuar se afro 50% e rasteve të dyshuara për pastrim parash kanë kaluar medoemos te noteri dhe ZVRPP-ja për regjistrim të pasurive të tyre të paluajtshme”, duke kërkuar që raportimet e rasteve të dyshimta të vlerësohen si detyrim ligjor.

Deklarata u bë dje, gjatë takimit me temë: “Raportim, bashkëpunim, mbikëqyrje”, ku ishin të pranishëm, Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Dhoma Kombëtare e Noterëve, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe misioni EURALIUS, të cilët kanë shkëmbyer opinione dhe kanë diskutuar lidhur me nevojën për rritjen e bashkëpunimit institucional mes tyre, për të arritur objektivat e parashikuar për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Drejtori i Përgjithshëm i DPPP-së përmendi në mënyrë konkrete detyrimet që kanë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si nëpunës publik, apo detyrimet specifike që mund të kenë noterët në parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe injektimit të fondeve të krimit në përgjithësi në ekonomi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: