NGA ERJOLA JATA*  TIRANË– “Janë 462 raste të dyshuara për pastrim parash në vend, të konstatuara gjatë vitit 2014, të cilat janë referuar në organet e drejtësisë. Ndërkaq heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të dyshimta për pastrim parash, ku ndodhej për tre vjet rresht, është një lajm i mirë për vendin”. Këto të dhëna janë bërë publike nga Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli.

Sipas tij janë nxjerrë 65 urdhra bllokimi të përkohshëm që kapin një vlerë rreth 18 milion euro nga të cilat rreth 15 milion janë me vendim gjykate apo prokurorie.

“Në kuadër të ushtrimit dhe funksionimit, DPPPP ka referuar për vitin 2014, 462 raste në institucionet ligjzbatuese ndërsa janë referuar 283 raste më shumë se në vitin 2012 me një rritje 63%, në krahasim me një vit me parë. Janë nxjerrë 65 urdhra bllokimi të përkohshëm që kapin një vlerë rreth 18 milion euro nga të cilat rreth 15 milion euro janë me vendim gjykate apo prokurorie”, deklaroi Gazheli.

Deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj vlerësoi punën e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave por theksoi se ka një marrëdhënie jo në lartësinë e duhur me Shërbimin Informativ Shtetëror.

“Kemi vlerësim pozitiv për arritjet e deritanishme për veprimtarinë e Pastrimit të Parave, nga raporti vërejmë një marrëdhënie me SHISH, e cila nuk është në lartësinë e duhur rreth 84 informacione për një vit”, tha Lutaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit me Pastrimit të Parave ka qenë kritik me Prokurorinë duke deklaruar se lë shumë për të dëshiruar hyrja e parave në kufij, prokuroria duhet të bashkëpunoj më shumë në hetimin e rasteve të pastrimit të parave.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: