Kënga e parë që Goran Bregoviç këndoi në Korçë për Festën e Birrës gjatë performancës së tij, ishte ajo me titull “Kosovarja”, kënduar në gjuhën shqipe.

E di se ata që e kritikuan ardhjen e këtij artisti të njohur ndërkombëtarisht, nuk do e vlerësojnë këtë si një mesazh domethënës të artistit, që muzika ka fuqinë të shërbejë edhe si urë lidhëse mes popujve.

Netët e këtij eventi të kthyer tashmë në një traditë të përvitshme për qytetin e Korçës, mblodhën dhe argëtuan me mijëra qytetarë vendas e të huaj, të cilët e injoruan të vetmin incident që ndodhi në natën finale, gjatë kohës kur në skenë performonte banda e Goran Bregoviç. Një djalë i ri, hodhi në mesin e njerëzve të pranishëm në festë gazlotsjellës, duke na kujtuar kohën kur ai hidhej në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Do i ndaja në tre kategori kritikët që janë shprehur kundër pjesëmarrjes së këtij artisti.

Të parët, janë ata që e kanë konsideruar si të panevojshme ftesën e dërguar në adresë të një këngëtari serbo-kroat për të performuar në një aktivitet artistik, me argumentin se kjo trazon emocionet e vëllezërve e motrave tona në Kosovë. Edhe pse e vlerësoj si gjykim joracional, gjithësesi e respektoj këndvështrimin e tyre. Por njëkohësisht, refuzoj ta konsideroj normale qasjen radikale se për hir të tyre, duhej me doemos të anulohej ardhja e artistit. Ndërkohë që, fare mirë mund ta konsiderojmë si më normale e civile të anasjelltën. Pra, zgjedhjen e lirë të kujtdo për të mos marrë pjesë në natën finale të “Festës së Birrës”, ose për të protestuar me bojkotimin e aktivitetit. Nuk ka rëndësi nëse kjo është rrjedhojë e faktit që ky artist për ta nuk është i preferuar si muzikant, apo nëse është rrjedhojë e përdorimit si një pretekst, për të na u servirur me dashje ose padashje, si pak më shumë patriotë se ata që ndoshta e preferojnë muzikën e tij, paçka origjinës që ka.

Të dytët, janë ata që në të shkuarën kanë marrë pjesë në koncerte të mbajtura prej tij në Tiranë apo gjetkë, por meqënëse këtë herë në pushtet është Edi Rama, i cili është pro idesë së Ballkanit të Hapur, kjo na qënka një arsye e “pakapërdishme”, prandaj duhet kundërshtuar ethshëm. Njëri prej tyre madje, e shprehu këtë mendim kaq të “mençur”, ndërkohë që ishte edhe duke e dëgjuar me kufje muzikën e Bregoviç. Ndaj, për këtë kategori mendoj se nuk ia vlen të harxhojmë më shumë gërma.

Ndërsa të tretët, janë kategoria që kanë synime përçarëse ndër shqiptarë. Këta janë disa ekstremistë që sillen si talebanë rrjetesh sociale, e që sapo e konstatojnë një ngjarje, qoftë ajo artistike, janë gati ta përdorin menjëherë politikisht. Ky soj idhtarësh, janë të frymëzuar nga pushtetarë rishtarë që po dëshmojnë ditë pas dite se kanë një mendësi shumë të vjetër, kur arrijnë deri në pikën që të vërsulin verbërisht me fyerje dhe fjalë turpëruese një armatë të tërë dixhitale, kundër gjithë atyre që mendojnë jo njësoj si ata, qofshin edhe shqiptarë e vëllezër gjaku.

U dashka të kemi qasjet e Albin Kurtit, pasi vetëm ashtu mund të konsiderohemi patriotë. Qoftë edhe me kostot që mund të prodhojë tentativa për të nxitur artificialisht xhelozi, diferenca patriotizmi e nacionalizmi të shtirur, e deri në shfaqje britmash e urrejtje të përziera pandershmërisht me të vërteta të dhimbshme të së kaluares së larget e të afërt të popullit të Kosovës.

Fatkeqësisht, e gjitha kjo po ndodh për të ushqyer delirin e “Patriotit të Kombit”, që në fakt është thjesht një ndër politikanët shqiptarë që ka marrë votëbesimin për të qeverisur Kosovën, jo i vetëm, por edhe si rrjedhojë e përçarjes së LDK-së nga Vjosa Osmani.

Më së pari, Albin Kurti duhet të fokusohet për të zgjidhur problematikat e shumta që ka Kosova, si në rrafshin e realitetit të brendshëm por edhe në rrafshin e politikës së jashtme, ku iu referohem negociatave të vështira e të pashmangshme për një marrëveshje me Serbinë, që ka qenë, është dhe do mbetet deri sa të zgjidhet, një prioritet i paevitueshëm që ngelet kusht për integrimin e plotë Kosovës në BE.

Përpara se Albini të nxisë këtë frymë përçarëse duke eksportuar gazin lotsjellës tek bashkëkombasit në Korçë, pa kursyer dhe fëmijët, me një mendësi mesjetare për të dëmtuar efektin përbashkues që gjithmonë e ka një ngjarje artistike, do të duhej të mos refuzonte, (për turpin e tij) ndihmën apo edhe detyrimin e qeverisë shqiptare për t’i ofruar një numër të caktuar vaksinash falas vëllezërve tanë kosovarë, ndërkohë që ka pranuar (dhe mirë ka bërë), ndihmën e Serbisë për t’i dhuruar Kosovës tamponë falas. Sepse po të mos bënte politikë kaq të vogël edhe me vaksinat, ndoshta statistikat e situatës së pandemisë sot në Kosovë nuk do ishin kaq shqetësuese.

Albini, si kryeministër i Kosovës pranon të ulet në tryezë me Vuçiç në Bruksel kur ky i fundit ende “nuk ka kërkuar ndjesë për krimet serbe”, por refuzon ta takojë atë në Shkup sepse aty është edhe kryeministri Rama, i cili është më mendjehapur se Albini për Ballkanin e Hapur. Po mirë, kush e ndalon kryeministrin e Kosovës që në një tryezë të tillë, të inicuar në krye të herës nga zonja Merkel, të shprehë ne tavoline mendimin e tij? Unë mendoj se refuzimi që kryeministri Kurti po i bën këtij procesi, e dëmton marrëdhënien strategjike të Kosovës me SHBA, me Gjermaninë dhe Francën si dy shtetet më të fuqishme të BE-së.

Nëse do duhej të ndihej dikush jo komod nga një takim i liderëve të ballkanit perëndimor, ai nuk do duhej të ishte Albini por Presidenti i Serbisë. Për arsyen e ditur sepse Kosova e ka fituar tashmë luftën me Serbinë dhe kjo e fundit e ka humbur luftën me Kosovën.

Sfidë e kohës tani ngelet ndërtimi i një të ardhmeje të prospertë në një rajon më të integruar e ndërlidhur, që ndihmon ekonominë e këtyre gjashtë shteteve. Njësoj si Sërbia e Kosova zhvillojnë tregtinë shumëvjeçare mes tyre.

Përpara se Albini të pretendojë “pavarësinë e Korçës nga Bregoviçi”, ndoshta duhet të mendojë për zgjidhje alternative që sado pak e “pavarësojnë Kosovën nga importi i produkteve serbe”. Apo minimalisht të nxisë idhtarët e tij që të shprehin ndonjë mendim jo vetëm për ardhjen e Bregoviçit në Korçë, por edhe për bandën “Riblja Corba” që performoi në të njëjtën fundjavë brenda kufirit shtetëror të Kosovës, në komunën e Leposaviçit. Meqënëse në repertorin e tyre kanë tekste këngësh me qasje shumë nacionaliste dhe meqënëse një nga anëtarët e këtij grupi e ka quajtur Kosovën një “shtet të trilluar”. Kështu mund të na tregonte se nuk ka standart të dyfishtë. Paçka se mirë ka bërë, pasi politika nuk ka asnjë arsye të ndërhyjë në shijet artistike të askujt, siç duhet të ishte edhe në rastin e Festës së Birrës në Korçë.

Në mbyllje të gjithë kësaj zhurmnaje që mori nuanca të panevojshme politike, është rasti të pohojmë gjithashtu se ky stimulim ndjenjash që prodhoi jo pak energji përçarëse, na shërbeu që të kuptojmë se duhet të respektojmë më mirë njëri-tjetrin, duke pranuar të vërtetën e thjeshtë se nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë për interesa politike. Përkundrazi, me vëllazërinë e gjakut duhet të bashkojmë edhe mendjet, se zemrat i kemi përjetësisht të bashkuara, për ta shprehur patriotizmin tonë nëpërmjet një vizioni progresist për zhvillimin dhe bashkëjetësën e bukur që meriton të ketë Shqipëria dhe Kosova, në kuadër të rajonit e të Europës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb