Gazmen Toska jeton prej 30 vjetësh në Francë. Në Berat ka shtëpinë e prindërve dhe zemrën. Historia e tij është historia e një shqiptari që beson se Shqipëria bëhet duke e dashur, besuar dhe sidomos duke dhënë një dorë ta tregosh e zhvillosh. Gazmen Toska, jo vetëm ka sjellë një kulturë të re punësimi dhe prodhimi, por edhe solidariteti e përgjegjësie sociale, në Berat, në qytetin nga iku 16 vjeç, për të mos ikur kurrë./ R.Xh

Në Berat, Muzeu i Dashurisë

Intervistoi Rudina Xhunga

Rudina Xhunga: Berati qyteti i një mbi një dritareve. I një mbi një bujtinave. I një mbi një historive të mrekullueshme. Nuk mund të mos kishim këtu shqiptarë të mrekullueshëm. Sepse ky është qyteti që shpëtoi hebrenjtë. Gazmen Toska vjen nga Franca, se është një francez nga Berati, dhe vjen dhe kujdeset për Muzeun Solomoni ose Muzeun e Simonit siç e njohin në Berat.

Gazmen Toska: Faleminderit ty Rudina, që zgjodhe qytetin e Beratit për këtë emision. Po jemi këtu në Muzeun e Solomonit që është krijuar nga një beratas. Simon Vusho, i cili përreth 20 vjet mblodhi dokumente të ndryshme në lidhje me një nga historitë më të bukura të Shqipërisë, por edhe në Evropë. Në fakt me sa jam informuar, Muzeu i Hebrenjve në Berat, që quhet Muzeu i Solomonit, nuk është i vetmi në Shqipëri, por i vetmi në Ballkan. Dhe kemi të bëjmë këtu me një faqe  jashtëzakonisht të bukur të historisë së shqiptarëve. Kur mësova që Simoni u nda nga jeta, dhe që vazhdimësia e muzeut ishte vënë në dyshim, u lidha me gruan e tij, Angjelinën, dhe vendosëm që muzeut ne t’i hapnim një faqe të dytë dhe një zhvillim ashtu siç e meritonte. Kjo historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, është unike për gjithë Evropën, për arsye pasi me mijëra hebrenj, gjetën strehë në vendin tonë, Shqipëri, që sapo kishte dalë prej 30 e ca vjetësh nga pushtimi otoman, që ndodhej ne një lloj kaosi pasi kishte qenë  Lufta e Parë Botërore, që nuk arrinte të gjente stabilitetin për zhvillimin e tij, dhe njerëz të thjeshtë, pjesa më e madhe të pashkolluar, bënë një akt që Evropa e zhvilluar nuk e bëri. Ata mbrojtën familje hebrenjsh, të cilët rrezikoheshin të çoheshin në kampet  e përqendrimit. Në qytetin e Beratit, numërohen mbi 600 hebrenj, që u mbrojtën nga këto familje të thjeshta.

Rudina Xhunga: Domethënë gjënë e mirë që kemi bërë nuk e kemi treguar në vite. E kemi quajtur të mirëqenë, normalitet. Kjo është një nga gjërat më të mrekullueshme që kanë bërë shqiptarët. Ky qytet ka shpëtuar 600 hebrenj. 

Gazmen Toska: Po është e vërtetë. Po ta shikojmë në kontekstin çfarë ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku 6 milionë hebrenj u vranë në kampet e përqendrimit dhe në mënyra të tjera, kur vetëm dy vende në Evropë i mbrojtën ata. Një ishte Danimarka, e dyta ishte Shqipëria. Duhet ta theksoj me një ndryshim të kontekstit të zhvillimit të vendit midis Danimarkës dhe Shqipërisë. Në ato vite Danimarka ishte një vend i zhvilluar, mbi të gjitha kishte një mbret të ndriçuar  i cili  u tha gjermanëve se më parë do të kaloni mbi mua para se të prekni të tjerët. Ndërsa në Shqipërinë e asaj kohe kishim vetëm njerëz të thjeshtë dhe fatkeqësisht të pazhvilluar. Veçantinë e këtij akti e shton edhe fakti që në Shqipëri hebrenjtë u mbrojtën nga të gjitha shtresat e popullsisë dhe nga të gjitha besimet fetare. Është një fakt që ne fatkeqësisht nuk e kemi shpjeguar mirë, por kur Gjermania i kërkoi shtetit shqiptar pasi e pushtoi që t’i grumbullonte hebrenjtë të tre fetë e Shqipërisë, feja myslimane, feja ortodokse dhe feja katolike i shkruan pushtuesve gjermanë në një mënyrë shumë të qartë që nuk është në traditën tonë që tjetrin neve t’jua lëshojmë. Për këtë ngjarje kaq të rrallë studiues të shumtë janë përpjekur ta kuptojnë. Në muajin nëntor unë pata rastin të shoh në dokumentarin e një vajze të re që e shpëtuan shqiptarët, ndërsa tani është grua e moshuar. Diskutimi që ishte aty me studiues ishte që si shpjegohet që shqiptarët ndryshonin nga të tjerët. Në fakt ka disa çelësa. Një çelës kryesor i shpjegimit është besa, apo kanuni. Po në Berat nuk kishte kanun, ai ishte më shumë në veri të Shqipërisë. Unë mendoj që kjo ka të bëjë me një bukuri të jashtëzakonshme që kemi ne në Shqipëri që është bashkëjetesa fetare. Këto familje u shpëtuan dhe u mbrojtën në mënyrë të njëjtë nga të gjitha shtresat e shoqërisë së asaj kohe dhe të gjitha fetë.

 

Rudina Xhunga: Ka dhe një gjë. Jo vetëm për ta shpjeguar se e kemi bërë ne, por edhe nuk e kemi treguar. Për shembull, ju përmendët historinë e një vajze që me siguri ajo e ka bërë vetë historinë e saj. Ky muzeu që është këtu është plot me histori. Si nuk pati kinematografia shqiptare një film për këto histori. Po të shikosh filmat janë të gjitha për danezët. Ne nuk kemi prodhuar asnjë gjë që mund t’ia jepnim botës nga historia e jonë e jashtëzakonshme e shpëtimit të hebrenjve. Nuk ka libra, nuk ka poezi, nuk ka tregime. Dhe po nuk u rrëfye, nuk ekziston. Dhe gjëja që mua më ka mrekulluar le të themi sepse unë kam qenë në Izrael dhe e di sesa rëndësi i japin ata faktit që i shpëtuan, që ky muze ekziston. Dhe ky muze nuk vdiq me të ndjerin Simon.

Gazmen Toska: Mëse e vërtetë. Prandaj dhe unë të falënderoj për herë të dytë për iniciativën e ardhjes këtu dhe tregimit të kësaj historie publikut shqiptarë. Kjo  histori tregon që ne kemi vlera të jashtëzakonshme si komb dhe përveç këtij akti të jashtëzakonshëm në një periudhë  shumë të vështirë për të gjithë Evropën, ku e përsëris asnjë popull i zhvilluar i asaj periudhe nuk e bëri një gjë të tillë, por bëri të kundërtën na lidh me realitetin e sotëm me figurë e Simonit. Jemi në Shqipërinë e këtyre viteve të demokracisë, me vështirësi shumë të mëdha me një rrëmujë të madhe dhe ja një mësues i letërsisë, i pasionuar nga letërsia shqiptare, nga vendi i tij, nga historia e qytetit të tij, punon. Siç e thashë 20 vjet për të mbledhur dokumente, dhe për të shpjeguar sesi u sollën shqiptarët e thjeshtë. Unë përfitoj nga ky muze për t’ju thënë një mësim tjetër që kemi ne dhe që lidhet me realitetin shqiptar është se Simoni ne na tregoi se mund të jesh i pasur pa pasur nevojë të kesh para. Është shumë e rëndësishme kjo për të rinjtë shqiptarë dhe shqiptarët në përgjithësi që vlerat e vërteta  t’i kuptojmë,  se nuk është vetëm aspekti material në këtë botë, por është edhe aspekti i të qenit njeri dhe vënies në dukje se çfarë kanë bërë të kaluarit tanë.

Rudina Xhunga: Ky kalldrëm është i vjetër. Këto shtëpi janë të vjetra. Por të gjitha tani janë kthyer në funksion të kësaj shtëpie të vogël që është Muzeu i Solomonit. I ka dhënë jetë, i ka dhënë identitet. Këtu mbushet me izraelitë, këtu mbushet me vizitorë nga e gjithë bota që duan të kuptojnë dhe të njohin muzeun e dashurisë. Se ky është një muze dashurie. Është muzeu i njeriut që shpëtoi njeriun. Pa interes. Pa kushte. Dhe aty brenda ka aq shumë histori sa mos të ndodhtë te jesh në Berat  dhe mos të vish ta vizitosh. Se do të habitesh dhe do të krenohesh që kemi pasur njerëz që kanë shpëtuar njerëz. 

Gazmen Toska: Objektivi ynë është që këtë muze ta bëjmë, jo vetëm muze për vizitorët e huaj, por gjithashtu dhe për  shqiptarët. Një nga problematikat tona të mëdha është se ne nuk dimë të evidentojmë realitetin e shqiptarëve që është më i bukur se ai perëndimor. Ne kalojmë kohën duke u marrë  me gjëra që ndonjëherë nuk janë reale. Gjithashtu objektivi i këtij muzeu është të bëhet dhe qendër kulturore dhe ne të organizojmë aktivitete që kanë të bëjnë me historinë dhe kulturën. Ne i kemi kërkuar institucioneve të Beratit që të gjithë  gjimnazistët, nga klasa e 9-të deri në klasën e 12-të  të kenë mundësi që njëherë të vizitojnë muzeun. Kemi shumë dëshirë që eksperiencën me Beratin ta zgjerojmë në të gjithë Shqipërinë, dhe të rinjtë shqiptarë të vijnë të vizitojnë këtë muze, sepse këtu kemi të bëjmë me memorien e kësaj mrekullie të shqiptarëve dhe gjithashtu me memorien ndaj urrejtjes. Jetojmë në një botë të komplikuar, në një botë me ndryshime shumë të mëdha dhe me kriza të mëdha. Në Evropë, po vërejmë rritjen e ekstremeve të djathta. Memoria dhe muzeu i Salomonit na bën që t’u kujtojmë të rinjve që këto monstruozitete që kanë ndodhur para 80 vjetësh mund të rivijnë prapë. Në botë këto janë përsëritur. Kemi pasur gjenocidin në Vietnam, për shkak të ideologjisë. Kemi pasur në mesin e viteve ‘90 në Kamboxhia janë vrarë rreth 2 milionë njerëz, 1 milionë vetëm në Ruanda, thjesht për arsye të etnisë. Kemi pasur krime të mëdha në Evropë që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, në shtëpinë tonë, në ish-Jugosllavi, në vitet ’90. Prandaj është e rëndësishme t’u kujtojmë të gjithëve se shembulli i dashurisë së shqiptarëve, të varfër atyre viteve, duhet mbajtur gjallë pasi rreziku që ne  të vijmë në urrejtje dhe të bëjmë krime monstruoze është një realitet. Pra ky muze shërben për ne shqiptarët, por gjithashtu është një dritë shumë e bukur për të gjithë Evropës për t’u kujtuar çfarë ka ndodhur ato vite dhe të entuziazmohemi, të jemi pozitivë dhe  ta rikujtojmë  që ka njerëz të thjeshtë me një dashuri të madhe.

Në restorant,  falas,  kush nuk ka të hajë dhe kush nuk ka me kë të hajë.

Rudina Xhunga: Është shumë interesante, është mbas meje Universiteti i Beratit që s’u hap kurrë. Tani është hotel luksoz që do të hapet së shpejti dhe kaq afër është porta e hapur e Gazit për njerëzit që nuk kanë të  hanë dhe nuk kanë me kë të hanë. Janë dy arsye pse e keni hapur këtë portë. Por e para që dua të di Gazi, pse e keni bërë kaq afër sepse vë në pah një kontradiktë të madhe të jetës, jo vetëm të Beratit. I pasuri dhe i varfri.

Gazmen Toska: Në fakt nuk ka lidhje, është krejt e rastësishme pse ndodhemi këtu. Unë dëshiroja të hapja një restorant humanitar dhe ishte shumë i rëndësishëm vendi ku do të gjendej. Mund të gjenden vende që janë larg qytetit dhe njerëzit nuk kanë mundësi të vijnë. Duhej gjithashtu një vend shumë diskret, jashtë syrit të njerëzve. Mendova që këtu ishte vendi më i mirë. Restoranti humanitar “Porta e Hapur”, futet në vitin e katërt të  funksionimit dhe ne shërbejmë 12 mijë vakte çdo vit, njerëzve të varfër. Siç e thotë dhe emri, këtu mund të vijë çdo njeri, pavarësisht nga origjina, mosha etj.

 

Rudina Xhunga: Nuk e pyesin a ke pension, a nuk ke pension? A ke grua apo nuk ke?

Gazmen Toska: Jo, absolutisht.

Rudina Xhunga: Gazi, këtu vijnë njerëz që nuk kanë të hanë apo edhe njerëzit  që nuk kanë me kë të hanë, sepse në këtë vend ka shumë të moshuar të cilët kanë të hanë, nuk dinë më kë të hanë dhe nuk ju hahet më.

Gazmen Toska: Ke shumë të drejtë Rudina. Në radhë të parë është për njerëz që janë në nevojë dhe që kanë nevojë të kenë për të ngrënë drekë. Por ka dhe një dimension të dytë ky lloj restoranti, pasi është social. Njerëzit shikojnë njëri-tjetrin dhe nuk janë vetëm atje ku banojnë. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është dinjiteti i njerëzve që vijnë. Ka rregull dhe asnjë lloj sjelljeje jonormale, pavarësisht se njerëzit i gjykojnë. Këtu janë njerëz me kaq probleme të shumta saqë u kuptohet ndonjë tejkalim i limiteve. Janë njerëz me gjithëmend të jashtëzakonshëm, të respektuar dhe asnjëherë me problem. Kjo iniciativë private dhe shpresoj që të frymëzojë dhe njerëz të tjerë në qytete të tjera në ndihmë të shqiptarëve që vuajnë jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga vetmia.

Rudina Xhunga: Kjo është arsyeja Gazi, që doja ta bëja përballë këtyre dy godinave, sepse ky është realiteti shqiptar: të pasur dhe të varfër. Ne që flasim dhe ata që po presin të hanë. Kjo është arsyeja pse do të doja t’ju intervistoja këtu, te ky realitet: ai që ka dhe ai që s’mundet. Ai që flet dhe ai që pret. Për një shembull për ata që kanë  në Tiranë, në Durrës dhe kudo. Ndajeni në këtë mënyrë, ose gjeni mënyra të tjera për t’u dhënë atyre që kanë më pak mundësi se ju, sepse  krijimi i mensave të tilla, nisma humanitare private ku nuk vijnë thjesht njerëz që nuk kanë çfarë të hanë, por dhe njerëz që nuk kanë me këtë të hanë, por edhe të rinj vullnetarë që kuptojnë më shumë jetën e realitetin dhe tregojnë më shumë solidaritet. 

Shqipëria bëhet, me bujqësi, turizëm e industri

Rudina Xhunga: Me gliko Berati, me kumbulla Berati do t’ju them: “Mirë se erdhët në këtë pjesë të tretë të emisionit “Shqiptarët e mrekullueshëm””. Jam te Hani i Xheblatit, një han që me Gazin e gjetëm rastësisht.  Këtë mendova tani kur erdha për herë të dytë: “More po si e gjeta për herë të dytë unë, m’u mor fryma kur u ngjita nëpër shkallë.” Por është një nga bujtinat e bukura të Beratit, qytetit që i themi i “Një mbi një dritareve”, tani do t’i themi edhe “Qyteti i një mbi një bujtinave.” Aq shumë shtëpi janë hapur për të pritur turistë kudo janë, për ta njohur këtë qytet nga më të bukurit dhe unikët në Shqipëri, që për më tepër ka dhe gliko Berati. Mos harro, po erdhe këtu provoje. Çfarë qyteti. Gazi kur e ke lënë këtë qytet?

Gazmen  Toska: Unë jam larguar nga Berati në vitin 1981 dhe pastaj nuk jam kthyer. U ktheva pak në një periudhë në vitet ’80 dhe pastaj për një kohë të gjatë s’kam ardhur. Por kontaktin e kam mbajtur gjithmonë. Lidhjen më të madhe me Beratin e kam prej 15 vjetësh, kur vendosa të filloj një aktivitet industrial dhe që më detyron, por në të njëjtën kohë më jep edhe kënaqësinë që të kem kontakt të vazhdueshëm, çdo muaj me qytetin tim të lindjes.

Rudina Xhunga: Sa vjeç ikët nga Berati për të studiuar në Francë?

Gazmen Toska: Nga Berati jam larguar në moshën 20-vjeçare. Bëra shkollën e lartë në Tiranë, pastaj në Francë. Kur mbarova studimet, u ktheva në Shqipëri në vitin 1989. Nuk ndenja shumë dhe në vitin 1990 unë u zhvendosa në Francë, në fushën time të inxhinierisë.

LEXO DHE :  Treshja jonë politike

Rudina Xhunga: Si ju eci kaq mirë në Francë, çfarë bëtë, çfarë zbuluat? 

Gazmen Toska: Në fakt nuk ka ndonjë sekret. Shkolla e mire. Në lidhje me atë që mendoj për shqiptarët edhe sot, bazat tona janë shumë të mira. Shkolla  jonë është shumë e mirë. Ne këtu në Shqipëri, në të gjitha kohët, pavarësisht problematikave që ka njohur vendi, kemi elemente pozitive dhe pastaj e rëndësishme është që të jepet mundësia që këtë forcë që ke, këto vlera mund t’i tregosh në botën ku je ti.

Rudina Xhunga: Kur e nisët aktivitetin tuaj privat në Francë? 

Gazmen Toska: E kam nisur para 20 vjetësh, në fushën e tekstileve teknike. Ishte fare rastësisht sepse unë fillova atje të merrem me shkencë. Drejtorët e këtij grupi të madh francez në fushën e kimisë ku punoj unë, më thanë që ishte më interesante që të merresha me shkencën e aplikuar, jo thjeshtë me shkencën laboratorike, me molekulat e naftës me të cilat mund bëhen ilaçet, fibrat tekstile, prodhime të ndryshme për bujqësinë, etj. Relativisht shpejt u mora me anën teknike të ndërmarrjeve dhe më vonë pata përgjegjësi në menaxhimin e ndërmarrjeve dhe divizioneve. Në një moment të caktuar kishte aktivitete që nuk futeshin në strategjinë e kësaj ndërmarrjeje, me humbje shumë të mëdha dhe më thanë: “Zoti Toska  ju intereson një aventurë? Të menaxhoni një ndërmarrje vetë dhe në rast se ajo  ecën mirë neve jua shesim dhe e keni ju në dorë menaxhimin  si aksionar e ndërmarrjes.” Kështu ndodhi, rezultatet u përmirësuan shumë shpejt, dhe unë fillova pa e menduar paraprakisht të bëhem sipërmarrës.

Rudina Xhunga: Domethënë ju doni të bëheshit shkencëtar dhe befas u bëtë sipërmarrës. Dhe u ndjetë mirë?

Gazmen Toska: Po u mësova shpejt me zanatin.  6 vjet më vonë mora mundimin të filloj edhe një  aktivitet në qytetin tim të lindjes, Berat. Dhe këtu fillon historia ime me Beratin, modelin ekonomik dhe social që përpiqem të  zhvilloj këtu dhe që është në lidhje me restorantin humanitar “Porta e hapur” dhe “Muzeu i Solomonit”.

Rudina Xhunga: Ju nuk jetoni në Shqipëri apo në Berat, vini rrallë. Sa rrallë vini?

Gazmen Toska: Unë vij çdo muaj. Një javë në muaj.

Rudina Xhunga: Po nuk qenka rrallë, qenka goxha.

Gazmen Toska: Jo nuk është rrallë, pasi aktiviteti ekonomik që kam punëson rreth 250 persona, në Berat.

Rudina Xhunga: Po në Francë?

Gazmend Toska: Në Francë nuk kam aktivitete industriale, jam në aktivitet të investimit në aksione.

Rudina Xhunga: U shkëputet nga nisja juaj?

Gazmend Toska: U shkëputa, pasi kriza e vitit 2008 në Francë, ishte me pasoja katastrofike. Dhe industritë kaliske kishin shumë vështirësi për të mbijetuar. Është vetë transformimi i shoqërive evropiane, prej 10-15 vjetësh ne provojmë një revolucion të jashtëzakonshëm industrial. Modeli revolucionit të parë industrial i para 150 vjetëve që ishte i bazuar në prodhimin e energjisë nëpërmjet minierave, në prodhimin e metalit, industrisë metalurgjikë apo tekstileve, sot praktikisht këto nuk ekzistojnë. Jemi në botën e teknologjive, të digjitalizimit, në botën e inteligjence artificiale. Me një fjalë kjo ka ndikim shumë të madh në shtetet e zhvilluara perëndimore, me probleme të mëdha sociale,  pasi njerëzit nuk gjejnë dot ato që kanë pasur në të kaluarën.

Rudina Xhunga: Ju shfrytëzuat Beratin në një moment tranzicioni të tillë për botën, ju doli mirë?

Gazmen Toska: Këtë gjë në Berat e zgjodha sepse foli zemra më shumë, për detyrën që kisha ndaj qytetit tim dhe vendit tim. Por niveli i zhvillimit të Shqipërisë është në nivelin e zhvillimit të vendeve të tjera, vite më parë. Dhe në Shqipëri këto aktivitete tradicionale të industrisë vijnë tamam në momentin që duhet dhe ka mundësi, potencial zhvillimi shumë interesant. Por që të bëhet kjo duhet patjetër një politikë e përgjithshme, që të thithë kapitalet e huaja, të thithë industrialistët perëndimorë, në mënyrë që ato kapacitete prodhimi që fatkeqësisht nuk mbahen dot në Perëndim, në vend që të shkojnë në Kinë, Pakistan,  Indi, të vijnë këtu në Evropën e afërt, që është Shqipëria.

Rudina Xhunga: E thënë mes nesh dhe mes kamerës, fasoneria është industria që do e zhvillojë Shqipërinë? Këtu mund të mbështetemi ne që të themi se do t’ia dalim?  Se nuk është se nuk e kemi provuar.

Gazmen Toska: Fjalën “fason” nuk e di se çfarë do të thotë. Edhe shumë të huajve po t’ua thuash nuk  e dinë. Në vendet që kanë nivelin e zhvillimit të Shqipërisë, në të gjithë historinë e botës, në Evropë, apo Azi, kur vendi filloi të hapej për ekonominë e tregut, një nga levat kryesorë të zhvillimit është ajo e industrisë së përpunimit. Kjo industri dhe fasoneria (nuk e di shumë, jam përpjekur të pyes njerëz ç’do të thotë fason, më kanë thënë është moda, është fashion), kjo nuk ka lidhje fare. Pra këtu  jemi në industrinë e përpunimit të një lënde të parë, lëndët e para më të zakonshme  janë lëkura, është tekstili, plastika, por dhe metali. Si fazë e parë e zhvillimit të një vendi, kjo është praktikisht një rrugë e domosdoshme.  E rëndësime është që pas një periudhe tranzicioni kësaj industrie, ku kryesisht përfitohet nga një fuqi  punë jo e shtrenjtë, të bëhet transformimi në zanate, ku nuk janë  vetëm duart dhe krahët që futen në punë, por edhe dituria me dimensione të tjera  të menaxhimit të gjërave, që bën që vendi të ketë një nivel zhvillimi relativisht harmonik.

 

Ka 27-28 vjet që ka filluar kjo lloj industrie dhe unë para 15 vjetësh kur  kam ardhur vija bast dhe thosha: “Pas 15 vjetësh modeli i zhvillimit do  të jetë komplet ndryshe.” Por ne jemi prapë këtu, pasi fatkeqësisht rritjet e zhvillimit të Shqipërisë, janë prapë të ulëta dhe nuk e ka gjetur një ritëm interesant zhvillimit,  ku ne kemi mundësi të zhvillojmë aktivitete të  tjera që nuk kanë vetëm bazë përpunimin e lëndës së parë.  Në aktivitetin që kam unë në Berat, jemi bazuar në këtë princip, pasi puna që bëjmë ne nuk bazohet vetëm në një punë me makina, por në një dimension që ka të bëjë me logjistikën, planifikim, menaxhimin e komandave të klientëve. Pra kemi një strukturë që nuk është përbërë vetëm nga punëtorë, por është më e komplikuar. Duhet të kemi 50 persona me shkollë të lartë, jemi 4 inxhinierë, pjesa më e madhe e punëtorëve janë me shkollë të mesme. Edhe se jem i në industri kaliske kemi një lloj integrimi drejt një modeli ku kërkohet  jo vetëm puna në makinë, por edhe menaxhimi i malit, kërkesave, i logjistikes.

Rudina Xhunga: Si ju duket Berati? Sepse një njeri që është përditë, thotë s’po ia dalim, s’po ecën, ka papunësi, ka probleme. Por një njeri që e shikon rrallë, që e merr malli, ose një njeri që punon, si ju ka një sy tjetër për këtë qytet. Si ka ardhur zhvillimi këtu?

Gazmen Toska: Zhvillimi i Beratit, për mendimi tim është në imazhin e Shqipërisë. Mund të ketë përjashtim Tirana,  që është kryeqyteti që është bërë një qendër e rëndësishme. Për mendimin tim është një zhvillim që ka bërë që këto 28 vjet, nga ana e nivelit ekonomik, të kalojmë nga mizerja që na la komunizmi, në varfëri. Por të mohosh zhvillimin nuk është logjike. Por ky zhvillim që kemi ne është i pamjaftueshëm, në krahasim me potencialin që kemi ne për të zhvilluar. Një nga arsyet që më bëri që të investoja në Shqipëri dhe në Berat në mënyrë të veçantë dhe një nga pyetjet që i bëja vetes dhe që në Perëndim bëhet është: “Nëse ne jemi në këtë stad zhvillimi dhe kemi probleme, problemi  vjen në radhë të parë nga njerëzit apo nga guvernanca?” Dhe unë kur nisa iniciativën këtu e fillova me gjëra shumë të thjeshta, dhe zbulova shpejt që  problemi kryesor i Shqipërisë nuk janë njerëzit. Punëtorët këtu arrijnë të punojnë, me një lloj diferencë standardi është normale me Perëndimin, por e kanë kapacitetin që në fushën e një aktivitet i prodhues të realizojnë gjëra që i realizon edhe Perëndimi. Dhe problemi kryesor në  Shqipëri është ai i guvernancës, i shtetit, në këto 28 vjet që nuk arrin të vërë në dukje këtë potencial që kanë njerëzit. Dhe  gjendja kaotike e Shqipërisë këto 28 vjet ka një efekt shumë negativ pasi ky potencial i këtyre njerëzve me kalimin e kohës nuk përdoret mirë dhe  ndonjëherë shpërdorohet. Dhe njerëzit nuk e kanë më atë besimin, shpresën për të ecur përpara. Me një fjalë ky është zhvillimi që mund të shikojmë ne.

Rudina Xhunga: Ju u zhvilluat sepse shteti francez jua krijoi mundësinë që të zhvilloheshit? Pse njerëzit e shohin patjetër te shtetit? Njeriu që  ka Hanin e Xheblatit, nuk e kishte, e bleu sepse mendoi se do t’i ecte diçka. Dhe i eci më shumë, nuk ka njeri që nuk vjen këtu dhe nuk fle. Mos ndoshta njeriu e kërkon pak edhe te vetja. Sepse tani të gjithë sytë i kanë te Rama, Berisha, Basha. Nuk mund t’i kthejmë sytë te vetja, siç i kthyet ju, sepse në kohën e Ramiz Alisë e latë këtë vend?

Gazmen Toska: Jam dakord në  dimensionin personal të njeriut, por kur flitet në menaxhimin  e një vendi, në rastin tonë me 3 milionë, por ka vende me 30 milionë, Kina është një vend me 1 miliardë e 300 milionë, problematikat janë afërsisht të njëjta. Është shumë e rëndësishme që shteti të ketë pozicionimin që i jep mundësinë të tërheqë kapitalet e huaja. Një vend si Shqipëria, e dalë nga periudha e komunizmit, nuk kishte asnjë lloj shansi të bënte konkurrencë me vendet e zhvilluara.  Dhe një vend si Shqipëria kishte nevojë për investimet e huaja, investimet në dituri, jo ato që mund të jenë në fusha të ndryshme të jetës. Kjo është dëshira që kam unë, ideja dhe ajo që bëj unë prej  15 vjetësh në Shqipëri dhe do ta kuptosh edhe ti lidhjen me pyetjen tënde. Ka të bëjë me një nocion të rëndësishëm që është patriotizmi ekonomik. Unë këtu zhvilloj një model që është i bazuar vetëm tek eksporti, një model që është  i bazuar në trajnimin, formimin, në ecurinë e njerëzve që fillimisht nuk kanë eksperiencë.  Dhe Shqipëria ka nevojë për futjen e parave tëhuaja, euroja në këtë rast. Pasi për një shteti, si për një familje eksportet janë ekuivalenca e të ardhurave dhe importet ajo e harxhimeve. Ajo që është për mua shokuese në Shqipëri, sepse ne kemi një ekuilibër që është komplet  se prapthi, është se kemi shumë importe dhe pak eksporte. Këtu është  roli i rëndësishme i shtetit, sesi forcon eksportet që  janë të ardhurat e vendit, dhe importet natyrisht që duhen sepse nuk prodhojmë makina, telefona, ka shumë gjëra që jemi të detyruar. Por këto importet quhen një e keqe  e domosdoshme nga ana makroekonomike e një vendi, kurse eksportet janë një e mirë e detyrueshme. Këtu për mendimin tim ne  vuajmë shumë nga ana  e kapacitetit të eksportit. Dhe prandaj është e rëndësishme për Shqipërinë që të fillojë në fillim  këto aktivitete. Ka tri aktivitete kryesore që mund të fillosh në një vend me kushtet e Shqipërisë; bujqësia meqë na ka dhënë Perëndia një vend të bukur me diell. Turizmi, pasi kemi një vend të shkëlqyer për turizëm bregdetar, atë malor dhe ajo që është shumë e rëndësishme për Shqipërinë është dhe turizmi kulturor, pasi jemi një popull shumë kulturor, me karakteristika të veçanta. Dhe pjesa tjetër që është me e rëndësishmja, pasi jo të gjithë mund të  rrojnë me turizëm dhe bujqësi, pra është edhe pjesa e industrisë. Dhe pikërisht në hapat e para në një periudhë 20-30-vjeçare zhvillohet industria përpunuese. Vijmë te roli i shtetit. Këtë industri përpunuese, e thjeshtë në fillim, ne do ta çojmë të  komplikuar nëse ajo krijon pasuri, përfitime dhe është një princip i vjetër i ekonomisë se treguat. Klientët gjeji sa më të pasur. Një sipërmarrës gjerman që hap një uzinë të vogël në industrinë e këpucëve, që ka standardet e tregut gjerman e kupton shumë mirë  që është në interesin e tij që të ketë këtu bashkëpunëtorë, punëtorë, ekipe që ndihen mirë dhe që nga ana e rrogave janë mirë. Nuk mund t’i paguajë kurrë si në Gjermani apo në Francë, por do t’i paguajë gjithmonë më shumë sesa niveli i Shqipërisë. Një sipërmarrës  që është në falimentim, apo që është në tregje të  vështira në Greqi apo Turqi, edhe sikur të ketë  dëshirë të mirë ai e ka të pamundur që të krijojë një nivel  zhvillimi për tregje të komplikuara dhe që t’i shoqërojë këto me rritjen e rrogës.  Pra unë për Shqipërinë do të kisha shumë dëshirë që ne të kishim sa më shumë  industrialistë perëndimorë, të cilët në vend që të shkojnë në Tunizi, në Marok, në Rumani, Bullgari apo Azi, të thonë se ekziston Shqipëria. Dhe në këtë kuadër, diçka që unë e them prej kohësh dhe në Francë është thënë nga ish-ministra para 15 vjetësh, gjithmonë mbroj idenë që Shqipëria është Kina e vogël e Ballkanit. Në cilin kuptim? Jo se do të bëhemi si Kina, si kinezët. Është Kina vogël e Ballkanit, pasi Kina për Perëndimin është uzina e madhe e botës. Në rastin tonë, në Shqipëri ne kemi kapacitetin dhe kjo është nga përvoja ime jashtëzakonisht e qartë, që të realizojmë prodhime të cilat arrijnë të  shiten ne tregjet perëndimore me fuqinë e  punëtorisë shqiptare.

Rudina Xhunga: Si u ndjetë kur francezët, Emmanuel Macron nuk i hapi derën negociatave me Shqipërinë?

Gazmen Toska: Gjendja e  Shqipërisë në Perëndim, mua thyen zemrën dhe më trishton shumë. Dhe përfitoj nga pyetja jote, për të thënë që Shqipëria është ai vendi që bëri atë që nuk e bëri asnjë vend gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria është ai vend i që ka nxjerrë princeshën e  dashurisë për të gjithë botën, pavarësisht nga besimi, që quhet Gonxhe Bojaxhiu (Nënë Tereza), një vajzë  e thjeshtë  e lindur këtu. Dhe kjo Shqipëri që është në zemër të Evropës nga historia dhe kultura e saj, nuk  e meriton të lihet jashtë mundësisë për t’u futur në rrugën evropiane. Duhet të kuptojmë që hapja e negociatave nuk do të thotë absolutisht futjen në Evrope, por në gjendjen e sotme të Shqipërisë,  me problematikat e mëdha që kemi ne, korrupsioni, dhe të një shteti që fatkeqësisht nuk është efikas në aksionet  e tij, hapja e negociatave na  jep mundësinë që të japim më shumë detyra shtëpie, që të kemi më shumë kontroll, në mënyrë që Shqipëria të ecë me ritmin e motrave të saj evropiane. Kështu që unë personalisht, e konsideroj që është diçka pa kuptim, që nesër apo pasnesër në një periudhë kohore relativisht të shkurtër, Shqipërisë t’i hapen negociatat, por me kushtin që niveli i kërkesave, transparenca, niveli i kontrollit duhet të jenë më të larta se më përpara. Pasi me korrupsioni i Shqipërisë, nuk është problemi i Evropës, por yni. Korrupsioni është problemi ynë se nuk vijnë investitorët e vërtetë, të huaj për të prodhuar dhe eksportuar, që kemi nevojë ne. Mund të vijnë investitorë të huaj, por ata vijnë për të shitur mallrat e tyre  dhe mua ajo që më intereson është kapacitet i vendit tim për të eksportuar./dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb