Në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD dhe Drejtuesit Politik për Elbasanin, Gazment Bardhi, u takua me përfaqesues të “Shoqatës së gjuetarëve”, të cilët ngritën shqetësimin e ndalimit të aktivitetit pa limit, që sipas tyre, sjell kosto jo vetëm për ta, por edhe vendit.

Gjuetarët u shprehën se moratoriumi ka ndaluar profesionistët e licensuar që nuk e dëmtojnë natyrën dhe botën e egër, ndërsa i ka hap rrugën gjuetisë së paligjshmë që është shkatërruese. Kjo shoqatë ka rreth 20 mijë anëtarë në gjithë vendin.

“Moratoriumi i gjuetisë përpara shtatë viteve ishte një marrëzi, me pretendimin që qeveria do të shtonte faunën e egër, do të shtonte habitatet e duke dhënë shumë premtime, por faktikisht gjendja sot është 100 herë më keq sesa përpara vitit 2013 kur u vendos moratoriumi i gjuetisë, sepse lulëzoi gjuetia e kundraligjshme…dhe morën forcë ata që kishin miq prokurorë, gjyqtarë, policë e politikanë, dhe ata që kishin paranë, dhe kanë gjuajtur si t’u dojë qejfi, sepse shteti nuk është në gjendje ta kontrollojë dhe fatëkeqësia është kjo që: një shtet që nuk është në gjendje të zbatojë ato ligje që i miraton vetë, ai pothuajse ka mbaruar”, u shpreh kreu i kësaj organizate për Elbasanin.

Gazment Bardhi u shpreh se të gjithë bien dakord që kishte nevojë për një ndalim, që kjo veprimtari të rregullohej e të përcaktohej mirë. Por Bardhi shtoi se PD nuk ka qënë dakort me zgjatjen e moratoriumit, që sipas tij është bërë për të tjera arsye.

“Nuk kemi qënë dakort me zgjatjen në 2016-tën, dhe nuk e kemi miratuar edhe për faktin se të gjithë, bashkarisht, biem dakord për arsyet e vërteta të ndalimit të gjuetisë. Arsyeja e vërtetë e ndalimit të gjuetisë, dhe që nuk hapet edhe sot që flasim, është pikërisht fakti që ajo pjesë e territorit, që shpesh shërben edhe si hapësirë ku ju ushtroni veprimtarinë tuaj, u mboll me kanabis, dhe veprimtaria juaj vinte në rrezik zbulimin e parcelave të drogës. Kjo ishte arsyeja kryesore, motivi politik, që çoi në ndalesë 8 vjeçare të gjuetisë. Mund të ketë territore të caktuara ku lejohet dhe territore të caktuara ku nuk lejohet por nuk mund të ndodhë kurrë që në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si në asnjë vend tjetër të botës, të mos ketë asnjë zonë ku të lejohet ushtrimi i veprimtarisë tuaj. Kjo është jo vetëm shkelje e një të drejte kushtetuese dhe ligjore, por nga ana tjetër është një padrejtësi e madhe që i bëhet njëzetë mijë anëtarëve të shoqatës tuaj”, u shpreh Bardhi.

Drejtuesi Politik për Elbasanin u angazhua se PD me ardhjen në pushtet, do ta heqë këtë ndalesë.

“Ne do të heqim moratoriumin e gjuetisë. Me ardhjen në pushtet pas 25 Prillit të PD, një nga gjërat e para që do të duhet të bëjmë edhe bashkarisht, në bashkëpunim edhe me shoqatën edhe me anëtarët e shoqatës është: së pari të shfuqizohet ligji, megjitëse ai bie nga fuqia për efekt të afatit, dhe unë nuk besoj se do tentojnë zgjatje tjetër, edhe për shkak se Kuvendi është i mbyllur aktualisht edhe nuk mblidhet, vetëm në raste të jashtëzakonshme. Pra nuk do të ketë mundësi për zgjatje, por do të ketë nevojë që të ulemi bashkarisht, e para: për të përcaktuar ato rregullime ligjore të domosdoshme që mundësojnë vetërregullimin nga organizata apo shoqata ku bëjnë pjesë anëtarët që ushtrojnë këtë veprimtari, së dyti: forcimi i rregullave dhe përcaktimi i kritereve se ku lejohet dhe ku është e ndaluar dhe së treti: dhënia e kompetencës organizatës, dhe nuk është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit, të merret me masat disiplinore ndaj anëtarëve të një shoqate jo-fitimprurëse siç është ajo e Gjuetarëve. Ju jeni, siç funksionojnë dhomat e noterisë, të avokatisë, ku shoqata ka të drejtën dhe kompetencën ligjore për të marrë masa disiplinore, për të lënë, për të dhënë lejen e ushtrimit të profesionit, të njëjtën gjë do të duhet ta ketë edhe shoqata e gjuetarëve”, deklaroi Gazment Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb