Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka dhënë një mesazh për qytetarët e qarkut të Elbasanit pas zgjedhjeve t ë25 prillit.

Bardhi thotë se për 4 muaj Elbasani u bë shtëpia e tij, teksa kujton ngjarjen e 21 prillit ku u vra Pjerin Xhuvani, duke e konsideruar si ditën më të vështirë të jetës së tij.

Ai akuzon Taulant Ballën si përgjegjësin  e  vetëm të kësaj ngjarje, duke shtuar se e përdori për të përfituar politikisht.

Më tej Bardhi thekson se PD u votua nga 60 mijë banorë të qarkut Elbasan duke i garantuar se në çdo pozitë do të jetë në krah të tyre.

 

STATUSI NGA GAZMENT BARDHI

Për 4 muaj Elbasani u bë shtëpia ime, dhe do të ngelet qyteti i zemrës edhe pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor. Mikpritja dhe hapja e dyerve, qytetaria, kultura dhe dashuria për vendin e elbasanllinjve ishin gjëja më frymëzuese e kësaj fushate për mua. Dëshira dhe angazhimi i të rinjve për ndryshim ishte burimi i forcës tonë në këtë fushatë. Dua t’i falenderoj nga zemra të gjithë pa përjashtim. Të njëjtën ndjesi kam provuar edhe në Librazhd, edhe në Prrenjas, në Cërrik, në Gramsh, në Peqin e në Belsh.

Ne zgjodhëm të ishim krah njerëzve në këtë fushatë dhe të fitonim besimin e tyre pa asnjë presion, shantazh, blerje apo keqpërdorim. Ndërkohë, e vetmja alternativë e palës tjetër ishte dhuna, shantazhi, keqpërdorimi i shtetit, përdorimi i parave të pista, shpifjet dhe sajesat.

Për fat të keq, nga nxitja e Partisë Socialiste për dhunë, në këtë rrugëtim pati edhe ngjarje shumë të rënda. Si drejtues i fushatës së Partisë Demokratike në Elbasan, 21 Prilli ka qenë dita më e vështirë e jetës time. Humbja e jetës së një prindi dhe plagosja e 4 qytetarëve të tjerë, është një ngjarje që më ka tronditur thellë, pavarësisht rrethanave sesi ka ndodhur dhe përgjegjësi e kujt ishte. Çdo njëri prej nesh, përpara se të jetë politikan, është njeri, dhe tek unë qënia njeri është shumë herë më e fortë sesa roli si politikan. Zgjodha të mos i përgjigjem asnjë prej provokimeve dhe akuzave monstruoze të të vetmit përgjegjës për ngjarjen, Taulant Ballës, që edhe një ngjarje të rëndë, ku ka humbje jete dhe plagosje të qytetarëve, kërkonte ta përdorte për të përfituar politikish. Ky lloj politikanësh, nuk ka në fokus njerëzit, por vetëm veten dhe përfitimet personale. Janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të ruajtur pushtetin e paligjshëm.

Në fund të numërimit, rreth 60 mijë banorë të qarkut të Elbasanit na e dhanë besimin, për projektin tonë për një Elbasan të kthyer në normalitet, me më shumë mirëqenie dhe mundësi. Jam shumë i motivuar nga kjo mbështetje që është një nxitje masive për të vijuar me projektin për një Elbasan të qytetarëve, të dijes, e kulturës. Projektin për normalitet. Ato vota janë një thirrje për të kontribuar me gjithë fuqinë time dhe të kolegëve, që ta bëjmë të mundur këtë aspiratë të qytetarëve, në çdo pozitë që do të jemi.

I jam mirënjohës nga zemra atyre që na besuan. Mirënjohje pa kufi për të rinjtë e të rejat, për ekipin, për strukturat e PD, për demokratët që luftuan e rezistuan deri në fund, në një terren ku manipulimi, blerja e votës dhe kërcënimi ishin në maksimumin e vet. Jam i bindur që Elbasani e ka forcën për ta nxjerrë të keqen nga vetja, dhe nuk do të nënshtrohet megjithë makinerinë e mbrapshtë që përdoret për pushtet e interesa personale. Unë e kolegët e mi do të jemi në krah të këtij qyteti e në krah të qytetarëve, në çdo rrethanë dhe në çdo moment, për ti kthyer besimin që na është dhënë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb