Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, njëherazi dhe kryesuesi i listës së kandidatëve të PD në këtë qark, ka vizituar këtë të mërkurë fshatin Floq, në njësinë administrative, Klos të Cërrikut.

Sipas Bardhit, ky fshat është lënë në harresë nga qeveria, pasi është pa rrugë, shkollë, qendër shëndetësore dhe kanale vaditëse.

“Jam i bindur që Kryetari i Bashkisë nuk ka ardhur ndonjëherë këtu. Fondet e subvencioneve kanë shkuar në 5 duar. Njerëzit, fermerët janë përballur me burokraci e kërkesa pa fund thjesht për t’i penguar. A mund të thotë dikush, kush ka marrë 1 euro nga fondi 100 milionë euro që ai ( kryeministri Rama) thotë se ka shpërndarë vitin e kaluar. S’duhet të diskutonim sot për rrugë. Duhej të ishin bërë rrugët, dhe subvencionimi do të duhej të funksiononte vetë. Ne kemi një plan, një zgjidhje konkrete, që secili do të marrë për aq sa prodhon, pa shkresa e letra, vetëm me kartën e identitetit”, tha Bardhi.

Më tej Bardhi i tregoi banorëve vizionin e Partisë Socialiste për zonat rurale.

“Ne e kemi prioritet të 4 viteve të para nxjerrjen e fshatit nga mjerimi. Nuk ka arsye që dikush që banon në fshat të jetë i varfër. Nëse ju do të keni rrugë, kanale vaditëse, dhe subvencione mbi bazën e prodhimit, ju nuk ja keni nevojën askujt”, u shpreh Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: