Mes fytyrave të kopertinave të Atalantës “fluturake” është edhe një e papritur, ajo e Etrit Berishës, asaj blerjeje të minutave të fundit, e cila jo nga të gjithë u kuptua. Fitorja kundër Interit ishte edhe e tija. Në një ndeshje që, për më shumë sesa një pjesë loje u pa si një spektator pa biletë, ai nuk ngurroi që të bënte disa pritje magjike, kur u thirr në apel.

Berisha, shqiptari i heshtur, pritej që, ashtu sikurse te Lacio të vazhdonte të qëndronte në hijen që i rezervohet numrit dy të portës, sepse Sportielo në vitet e fundit i kishte të gjitha “letrat” në rregull për të vazhduar për shumë vite i pashqetësuar në kuadratin që nuk mendohej se do t’ia merrte kush. Ai ishte i ri, i fortë, i vazhdueshëm dhe shumë i lakmuar nga klubet e mëdha italiane dhe të Europës.

Por ndoshta, sirenat e merkatos bënë që ai të dilte nga shinat dhe Berisha, që nuk ndryshoi kurrë stilin e tij të të bërit sport ishte gati, në kohën dhe në vendin e duhur. Pa pretenduar kurrë asgjë, i vuri menjëherë cilësitë e tij në shërbim të skuadrës. Debutoi në Kaljari, në një ndeshje të përfunduar keq për Atalantën, por pikërisht në atë takim, i vetmi që meritoi notë pozitive ishte Etriti. Është edhe meritë e tij nëse Atalanta ka futur në “xhep” patentën e vrasësit të skuadrave të mëdha…

Nëse kërkoni të dini më shumë, pyesni në selinë e Interit dhe të Napolit, sepse duke ndalur këto dy superskuadra, Berisha ka ndihmuar, ndoshta shumë më shumë sesa i gjithë reparti defensiv, në grumbullimin e 10 pikëve nga ana e Atalantës, duke pësuar vetëm dy gola dhe duke mbajtur saraçineskën të ulur për plot 234 minuta, deri në rastin e golit të Ederit, tek i cili mbrojtësi ekstrem i përfaqësueses kuqezi nuk mund të bënte asgjë.

Metamorfoza atalantine lind nga numrat e qartë dhe të pakundërshtueshëm, baza e rimëkëmbjes së skuadrës bergamaske; 11 gola të pësuar në pesë ndeshjet e para, vetëm dy të tjerë në katër sfidat e tjera. Por, nëse ky ritëm ka ndryshuar, pa dyshim që duhet ritheksuar se meritë shumë të madhe ka pasur Etrit Berisha, shqiptari i heshtur, i cili ka bërë të harrohet Sportielon, atë që përpara shpërthimit të Xhanluixhi Donarumës, shihej si pasardhësi më i denjë i Xhanluixhi Bufonit edhe në Kombëtaren e Italisë./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: