Skënder Gega flet hapur për derbin me Tiranën. Trajneri i të kuqve, pesë ditë para sfidës me bardheblutë, rrëfen ndeshjen e tij dhe e nis me një provokim të vogël.

Ngacmon Ardian Memën nga larg, duke thënë se paçka se po ndiqte Partizanin, bën tifo për ekipin e tij. Po kështu, trajneri i Partizanit flet për gjendjen e skuadrës pas sfidës me Flamurtarin. Shpreson dhe beson se Rexhepi do të jetë i gatshëm për takimin me bardheblutë, ndërsa Rubin Hebajn e konsideron thjesht titullar, luan apo nuk luan nga minuta e parë. Ja intervista me Skënder Gegën…

Fitorja me Flamurtarin a sjell qetësinë e duhur te Partizani para derbit të së premtes, ku edhe kundërshtari duket më i karikuar se kurrë?

Tirana dhe Partizani gjithmonë janë të karikuara kur vjen ndeshja mes tyre, pavarësisht pozicionit që mbajnë në tabelë. Kështu që karikimi i tyre na karikon shumë më tepër edhe ne.

Trajneri Mema ka qenë në stadium për të parë ndeshjen me Flamurtarin. Për kë mendoni se ka bërë tifo, për ju apo Ilir Dajën?

Për Partizanin ka bërë tifo, që edhe ne të shkonim të karikuar (qesh). Normal, çdo trajner rivalin dëshiron që ta lërë prapa, në momente të caktuara ta godasë. Ne jemi kolegë, edhe unë e kam parë Tiranën dhe kam bërë tifo për ekip tjetër. Gjithsesi, janë gjëra që funksionojnë. Mema po bën punën e tij, është tek ekipi dhe klubi i vet, edhe unë po ashtu. Kështu që deri të premten do të punohet dhe do të shikojmë se si mund të dalim më mirë.

Sa ndikon për ju si trajner fakti se Partizani prej pesë vitesh nuk e njeh humbjen me Tiranën, për të përgatitur derbin e radhës?

Besoj se duhet shkëputur nga historia, pasi takimi i radhës nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur para 15 ndeshjeve. Jemi në javë dhe situatë tjetër dhe do të mundohemi ta ndërtojmë lojën, ashtu siç dimë ne dhe të marrim maksimumin. Jemi më të qetë pas kësaj fitoreje, nuk kemi presion. Do të mundohemi t’i respektojmë ata, por në fund fare duhet të respektojmë veten tonë, pasi e dimë forcën që kemi dhe do të dalim shumë mirë.

Ju shqetëson forma jo e mirë që shfaqi Rexhepi ndaj Flamurtarit?

Rexhepin po mundohemi që ta kthejmë në formë pas dëmtimit të pati. I dhamë një shans, nuk ishte 100%, por edhe me aq sa tregoi paraqitja e tij na ngroh. Megjithatë, ai është pjesë e shëndoshë e skuadrës dhe bashkë me të tjerët do të bëhet grup edhe më i fortë.

Hebaj zgjidhi ndeshjen me Flamurtarin, por edhe derbin e fundit. Mos ndoshta duhet t’i besoni si titullar në takimin e radhës me Tiranën?

Unë u besoj të gjithëve. Titullar është ai. Po je në 18-she, konsiderohesh titullar, pjesa tjetër është zgjedhje teknike. Në momente të veçanta mund të luajmë me Hebajn apo dikë tjetër. E rëndësishme është që të bëjmë progres dhe të marrim nga të gjithë maksimumin./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb