Derbi është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, një sfidë që për tifozët vlen më shumë se sa titulli, por gjërat kanë ndryshuar jo pak në këtë përballje të tretë sezonale ndërmjet Tiranës dhe Partizanit. Sigurisht që askush nuk dëshiron të humbas një derbi por për momentin rëndësi kanë pikët. Për Partizanin filozofia është e qartë, çdo ndeshje vlen tre pikët, ndryshim nuk bën as ky derbi. Skënder Gega nuk dëshiron as të largojë presion e as të bëjë diplomatin, mbi të gjitha nuk ka ndërmend të ndryshojë as formacionin për sa kohë ekipi ka funksionuar mirë.

Formacioni Partizani Frame
Formacioni Partizani Frame

Të kuqtë kanë mbrojtjen më të mirë deri në këtë pikë të sezonit, 11 gola të pësuar në 23 javë kampionat, por ndryshimi i vetëm vjen në prapavijë në një kohë kur duhet të bëjnë llogaritë pa Lorenc Trashin të pezulluar. Vendin e tij pritet ta marrë Idrizaj i cili së bashku me Rexhepin, Belican dhe Ibrahimin formojnë prapavijën. Gega beson shumë tek Atanda dhe pritet ta spostojë përpara ku sëbashku me Telushin do të formojnë digën përpara mbrojtjes. Pavarësisht se në derbin e fundit heroi ishte Rubin Hebaj me një dygolësh, ashtu siç bëri edhe kundër Flamurtarit, Skënder Gega sërish nuk i beson një fanellë titullari sulmuesit shkodran. Asani, Mensah dhe Mala do të mbështesin sulmuesin e vetëm Jurgen Bardhi.

Formacioni Tirana Frame
Formacioni Tirana Frame

Tirana vjen në një formë shumë të mirë në këtë derbi, Mema ka luksin të përzgjedh. Në sfidën e fundit siguruan një tre pikësh të artë në transfertë kundër Skënderbeut, ku Kobina dhe Ngo firmosën në suksesin e bardhebluve. Nisur nga ai takim, Mema pritet ti besojë sërish Kobinas i cili po shfaq cilësitë e tij si golashënues, në fakt sulmi nuk ka qenë asnjë herë problem për Tiranën pasi aktualisht kanë ofensivën më të mirë në Superiore. Kobina, Hasani dhe Greca pritet të mbështesin sulmuesin kryesorë, Majkëll Ngo. Një tjetër risi vjen në mesfushë ku Maveje pritet ti marrë vendin Asion Dajës. Asnjë ndryshim në prapavijë, ku Kërçiku, Turtulli, Imami dhe Hoxhallari pritet të rreshtohen përpara portierit Abibi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb